UBT ka bërë hapjen e thirrjes për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025 (IC-LAC), e cila këtë vit organizohet në kuadër të Konferencës së 14-të Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion.
Ky aktivitet shkencor do të bashkojë studiues, akademikë, studentë të cikleve të avancuara, doktorantë, ekspertë të fushës dhe profesionistë të arsimit nga vende të ndryshme të botës, me synim shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira mbi gjuhën, kulturën dhe ndërthurjen e tyre në sistemet bashkëkohore arsimore.
Tema kryesore e këtij edicioni është: “Ndërtimi i sistemeve arsimore reziliente për një të ardhme të qëndrueshme.”
Datat kryesore:
- Dorëzimi i abstrakteve: 10 tetor 2025
- Njoftimi i pranimit & rishikimi shkencor: 17 tetor 2025
- Regjistrimi i hershëm: deri më 17 tetor 2025
- Regjistrimi i vonuar: deri më 20 tetor 2025
- Dorëzimi i punimit të plotë: 14 nëntor 2025
Qëllimet dhe objektivat
Konferenca IC-LAC synon të hapë një hapësirë të gjërë diskutimi mbi rolin e gjuhës dhe kulturës në shoqëritë moderne, duke nxitur qasje multidisiplinare për edukimin dhe komunikimin ndërkulturor.
Fushat e diskutimit përfshijnë:
- Gjuha dhe kultura në arsim
- Përdorimi i teknologjisë në mësimdhënie dhe të nxënë
- Komunikimi ndërkulturor dhe shumëgjuhësia
- Praktikat e qëndrueshme në edukimin gjuhësor
- Inteligjenca artificiale dhe ndikimi i saj në të nxënit e gjuhëve
- Përkthimi, interpretimi dhe komunikimi global
- Rezilienca arsimore dhe dizajnimi i kurrikulave
Dorëzimi i punimeve
Punimet e paraqitura duhet të jenë origjinale, të papublikuara më parë dhe të mos jenë në proces shqyrtimi në konferenca të tjera. Gjatësia maksimale e një punimi është 6 faqe. Punimet që nuk respektojnë kriteret e formatimit nuk do të merren në konsideratë.
Organizatorët ftojnë të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë me hulumtimet e tyre shkencore dhe praktikat profesionale, duke u bërë pjesë e një platforme ndërkombëtare shkëmbimi idesh që synon të forcojë lidhjen mes gjuhës, kulturës dhe arsimit për një të ardhme më të qëndrueshme.