UBT Radio Campus është radio e cila operon në kuadër të veprimtarisë së UBT-së. E licencuar më 25 mars 2015 nga Komisioni i Pavarur i Mediave, UBT Radio Campus ka filluar me transmetimin e programeve në gjashtë muajt e fundit.
Njëra nga ish-studentet e drejtimit Media dhe Komunikim të UBT-së, Saranda Krasniqi, e cila tani është e punësuar në Radio Campus, tregoi për transmetimin që bënë radio gjatë ditës.
“UBT Radio Campus transmeton muzikë për 24 orë. Ka programin e mëngjesit, programin e pasdites dhe katër edicione të lajmeve blic. Në programin e mëngjesit publiku mund të informohet për më të rejat nga politika, shëndetësia, arsimi, madje edhe për ushqime e dieta si dhe kuriozitete, ndërsa në atë të pasdites për showbizz dhe teknologji”, tha ajo.
Tutje Krasniqi tregoi për orarin e transmetimeve të emisioneve dhe të edicioneve të lajmeve.
“Emisioni i mëngjesit Campus AM fillon në ora 08:00 dhe mbaron në orën 10:00, kurse programi i pasdites ”Java me ju” nis transmetimin në orën 14:00 dhe mbaron në 16:00. Edicionet e lajmeve blic transmetohen katër herë në ditë, njëri duke filluar nga ora 10:00, edicioni i dytë në 12:00, pastaj në orën 14:00 dhe i fundit në orën 16:00”, shtoi ajo.
Lajmet dhe zhvillimet që transmetohen nga kjo radio janë në përputhje me kodin e etikës, si dhe në përputhje me standardet e parapara nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM). Radio ka prioritet objektivitetin, shpejtësinë, saktësinë dhe të jetë një media e balancuar.
Radio Campus zbaton një standard të avancuar të programeve informative duke zhvilluar biseda nga tereni, intervista në studio, mysafirë nga fusha të ndryshme, si: Arsim, Inovacion, Ekonomi, Ndërmarrësi, Kulturë, Politikë, Sport etj.
Udhëhiqet nga një staf profesional dhe është i hapur për të gjithë kategoritë e shoqërisë. Krasniqi tregoi se stafi i radios përbëhet nga pesë persona, ku tri janë studente të cilat kanë diplomuar në Media dhe Komunikim në UBT, dhe që tani udhëheqin disa prej emisioneve të radios.
“Pjesë e stafit janë edhe një teknik së bashku me drejtorin gjeneral të radios, Pëparim Namani”, deklaroi Krasniqi.
UBT Radio Campus ka dëgjues në shumë qytete të Kosovës, e që synon që dita-ditës të fuqizohet edhe më tej.
“Dëgjohet në Prishtinë, Lipjan, Ferizaj e në qytete të tjera. Duke u bazuar në mesazhe e komente, ka dëgjueshmëri e cila dita ditës po rritet”, përfundoi Krasniqi.
Në radio involvohen direkt edhe studentët e UBT-së të Media dhe Komunikimit, të cilët i zhvillojnë njohuritë e tyre dhe punën praktike.
(Autore e tekstit është Margarita Llausha, studente e vitit të parë në Media dhe Komunikim në UBT)