UBT News

UBT prezanton modelin e parë Digital Twin të Kampusit Smart City në aktivitetin përmbyllës të projektit Evropian IoT-ECO në Sofia

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me Prof. Dr. Besnik Qehaja, dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, dhe ekipin e UBT-së, po marrin pjesë në aktivitetin përmbyllës të projektit IoT-ECO, pjesë e programit Erasmus-LS, ERASMUS-EDU-2022-CBHE, i cili po mbahet në Technical University of Sofia, në Bullgari.

Ky projekt ndërkombëtar synon zhvillimin e modeleve inovative për Internet of Things (IoT) në fushën e ekonomisë së gjelbër, duke bashkuar ekspertë dhe akademikë nga universitete të ndryshme të rajonit dhe Evropës.

Në këtë aktivitet u prezantua modeli i parë real i Digital Twin Smart City Kampus në UBT, një inovacion unik i zhvilluar mbi infrastrukturën Smart City dhe teknologjitë e avancuara nga ekipi i UBT-së. Ky model digjital funksionon si një pasqyrim virtual i kampusit dhe qytetit, duke mundësuar ndërveprim në kohë reale.

Kjo teknologji rrit ndërveprimin dhe aftësinë për të reaguar shpejt ndaj situatave, si dhe kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetës, efikasitetit dhe sigurisë.

Rektori Hajrizi prezantoi gjithashtu UBT Hub, duke theksuar kontributin dhe avancimet e universitetit në integrimin e IoT në mjedisin akademik dhe industrial. Ai diskutoi rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës digjitale dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare për fuqizimin e inovacionit dhe edukimit teknologjik në Kosovë, me theks të veçantë te modelet inovative që janë zhvilluar dhe implementuar në fushat e IoT, inteligjencës artificiale, smart cities, smart education, mjekësisë, etj.

Programi i ngjarjes përfshin prezantime mbi modelet virtuale të IoT, integrimin me cloud, aplikimet praktike në industri, si dhe sfidat e sigurisë kibernetike në rrjetet moderne inteligjente. Përveç pjesës akademike, aktiviteti ofron edhe vizita kulturore dhe ture në Sofia, duke krijuar hapësirë për shkëmbim përvojash dhe rrjetëzim ndërkombëtar.

Exit mobile version