UBT njofton se të premten, më 24 tetor 2025, duke filluar nga ora 09:00, në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan (Objekti I), do të mbahet një ligjëratë tematike ndërkombëtare me titull: “Environmental Sustainability of Concrete Structures”, që do të udhëhiqet nga Prof. Bruno Dal Lago nga Universiteti i Insubrias dhe Politekniku i Milanos, Itali.
Ligjërata do të trajtojë praktikat bashkëkohore të qëndrueshmërisë mjedisore në ndërtimet prej betoni, duke sjellë njohuri shkencore dhe përvoja profesionale nga universitetet më prestigjioze evropiane.
Pas ligjëratës, nga ora 10:00, do të zhvillohet Ceremonia e Hapjes së “Panairit të Materialeve”, që do të mbahet në hollin e Objektit I, dhe do të vazhdojë deri në ora 14:00.
Ky panair do të prezantojë materiale dhe teknologji inovative në fushën e arkitekturës, inxhinierisë dhe ndërtimtarisë, si dhe do të shërbejë si platformë për ndërveprim ndërmjet studentëve, profesorëve dhe kompanive bashkëpunëtore.
Gjithashtu, në të njëjtën ditë, nga ora 12:40, do të mbahet prezantimi i kompanisë ndërkombëtare “PENETRON”, e cila do të paraqesë materiale inovative që lidhen me ndërtimet prej betoni, arkitekturën dhe qëndrueshmërinë strukturore.
Ky prezantim do të zhvillohet po ashtu në Objektin I të Kampusit të UBT-së në Lipjan.
Ligjërata është obligative për studentët e programeve “Materialet në Arkitekturë” dhe “Konstruksionet e Betonit” (niveli Bachelor), ndërsa janë të ftuar të marrin pjesë edhe studentët e lëndës “Bazat e Konstruksioneve të Betonit” në Arkitekturë dhe të gjithë studentët e interesuar nga vitet tjera të studimeve.
Kjo ngjarje përfaqëson një mundësi unike për studentët dhe profesionistët e rinj që të njihen nga afër me risitë bashkëkohore të qëndrueshmërisë në ndërtim, materialet inteligjente dhe zhvillimet më të fundit teknologjike në këtë fushë.