Në kuadër të Global UBT Fest 2026, Fakulteti Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji dhe Fakulteti Agrikulturë dhe Inxhinieri e Mjedisit organizuan me sukses Akademinë Verore 2026, me temë “Shkenca dhe inovacioni në shërbim të cilësisë së ushqimit dhe prodhimit të qëndrueshëm”.
Akademia u mbajt më 7 dhe 8 korrik në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologji të UBT-së, duke bërë bashkë studentë, profesorë universitarë, ekspertë vendorë, si dhe përfaqësues të industrisë agro-ushqimore.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit ndoqën dhjetë ligjërata profesionale, ku u trajtuan tema aktuale që lidhen me teknologjinë ushqimore, sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, bujqësinë e qëndrueshme, inovacionin, përpunimin e produkteve ushqimore, si dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit privat.
Ligjëratat u zhvilluan nga ekspertë me përvojë akademike dhe profesionale, të cilët prezantuan rezultatet e kërkimeve shkencore, përvojat praktike dhe trendet më të reja të zhvillimit në sektorin agro-ushqimor. Çdo sesion u shoqërua me diskutime interaktive, duke krijuar një mjedis të favorshëm për shkëmbimin e njohurive, ideve dhe përvojave ndërmjet pjesëmarrësve.
Akademia Verore u karakterizua nga një pjesëmarrje e lartë dhe angazhim aktiv. 37 pjesëmarrës përfunduan me sukses programin dyditor.
Përveç programit akademik, Akademia shërbeu edhe si një ngjarje e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet studentëve, profesorëve, institucioneve dhe industrisë, duke promovuar dialogun, rrjetëzimin profesional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.
Përmes organizimit të Akademisë Verore 2026, UBT rikonfirmoi përkushtimin e tij për ofrimin e arsimit cilësor, promovimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, si dhe përgatitjen e profesionistëve të rinj që do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agro-ushqimor në Kosovë dhe më gjerë.

