UBT News

UBT nesër organizon bashkëbisedim me Ministrin Ejup Maqedonci për mundësitë e angazhimit të studentëve në industrinë e mbrojtjes

UBT do të organizojë më 23 qershor 2026, nga ora 14:00, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, në Lipjan, (Biblioteka), një bashkëbisedim me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me mundësitë e angazhimit profesional të studentëve në fabrikën e parë të municionit në Kosovë.

Ky takim synon të informojë studentët dhe të rinjtë për projektin strategjik të industrisë së mbrojtjes, i cili pritet të fillojë prodhimin gjatë këtij viti dhe që konsiderohet një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike të vendit.

Gjatë aktivitetit, Ministri Maqedonci do të prezantojë mundësitë konkrete të angazhimit profesional për studentët dhe të diplomuarit në fusha të ndryshme teknike dhe inxhinierike, duke përfshirë inxhinierinë mekanike, elektroteknike/elektrike, metalurgjike, kimike, hidraulike, si dhe profile të tjera të ngjashme.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të diskutojnë nga afër për rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, rolin e të rinjve në këtë proces, si dhe perspektivat për zhvillim profesional dhe avancim teknologjik në kuadër të këtij projekti.

UBT vazhdon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, industrisë dhe studentëve, duke ofruar mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe përfshirje në projekte me rëndësi strategjike për vendin.

Exit mobile version