Për kontributin dhe krijimtarinë e tij në kulturë, në ruajtjen dhe ngritjen e vlerave kombëtare, si dhe për veprimtarinë artistike, UBT i ka ndarë çmimin “Excellence Leadership Award”, kolosit të këngës së mirëfilltë shqipe, kantautorit Ilir Shaqiri.
Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar lartë veprën e kantautorit Shaqiri, duke thënë se përmes këngëve të tij është dhënë një kontribut i madh në promovimin e vlerave patriotike të kombit shqiptar.
“Kam nderin dhe kënaqësinë që unë sot çmimin “Excellence Leadership Award” t’i ndaj një kolosi të këngës shqipe, një pene të artë të vargjeve të këngëve lirike, të nderuarit, Ilir Shaqiri. Vargjet e kënduara nga ai ishin motiv për të vazhduar qëndresën tonë karshi pushtuesit serb, duke bërë që kënga e tij të bëj jehonë në frontet e luftës ku ushtarët tanë po mbronin vendin”, ka thënë rektori Hajrizi.
Nga ana tjetër, kantautori, Ilir Shaqiri, është ndjerë i nderuar me vlerësimin e bërë nga UBT dhe rektori Hajrizi, në ditën kur edhe u promovua libri përmbledhës: “200 Këngë nga Opusi Muzikor i Kantautorit Ilir Shaqiri”, nga autori Korab Shaqiri.
“Ndihem i nderuar që sot ky libër po përurohet këtu në këtë ambient të mrekullueshëm, në këtë ambient ku shumë studentë po arrijnë të shpërndahen gjithandej, dhe jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha hapësirat shqiptare dhe të kontribuojnë në fushat përkatëse prej ku marrin gjithë këto mësime siç është universiteti juaj”, ka thënë kantautori dhe kolosi i muzikës së mirëfilltë shqipe, Ilir Shaqiri.
Këtë çmim, UBT si institucion i arsimit të lartë që ka krijuar një ekosistem të gjerë të dijes, e ndan për personalitetet që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të madh në sfera të ndryshme të jetës.