Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së mirëpriti partnerë akademikë, përfaqësues institucionesh, organizata të sektorit të turizmit dhe ekspertë ndërkombëtarë në kuadër të takimit ndërkombëtar të projektit STM-Tourism – Sustainable Tourism Mastery for VET and Entrepreneurship, një iniciativë që synon zhvillimin e aftësive profesionale dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë takim u diskutua mbi trendet më të reja në turizmin e qëndrueshëm, kompetencat e nevojshme për tregun e punës, transformimin digjital të sektorit dhe rolin e arsimit në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.
Gjatë sesionit të hapur me palët e interesit, pjesëmarrësit trajtuan nevojat e sektorit të turizmit në rajon, analizën e boshllëqeve në aftësi profesionale, si dhe mundësitë për ndërtimin e programeve moderne që kombinojnë inovacionin, sipërmarrjen dhe qëndrueshmërinë.
Në këtë kontekst, UBT prezantoi përvojën në zhvillimin e arsimit në fushën e turizmit, duke qenë themelues i programeve të specializuara në këtë sektor dhe që vazhdon të integrojë praktikat më të avancuara evropiane në kurrikulat e tij.
Përmes bashkëpunimeve me universitete dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë partnerë nga Austria dhe vende të tjera evropiane me traditë të zhvilluar turistike, UBT po krijon mundësi të reja për studentët që të përfitojnë njohuri dhe përvoja të harmonizuara me standardet ndërkombëtare.
Në kuadër të projektit STM-Tourism, UBT udhëheq aktivitete të rëndësishme që lidhen me identifikimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe zhvillimin e kornizave moderne të kurrikulave, duke kontribuar drejtpërdrejt në përgatitjen e një gjenerate të re profesionistësh të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të industrisë së turizmit.
Takimi shërbeu gjithashtu si platformë për shkëmbimin e përvojave ndërmjet universiteteve, odave ekonomike, organizatave të punësimit dhe institucioneve publike, me synimin e krijimit të një ekosistemi më të fuqishëm për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe sipërmarrjes në rajon.
Përmes projekteve të tilla ndërkombëtare, UBT vazhdon të forcojë rolin si lider në arsimin e lartë, inovacionin dhe zhvillimin e programeve që ndërlidhin akademinë me nevojat reale të tregut të punës, duke kontribuar në avancimin e sektorëve strategjikë për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

