UBT News

UBT lidh studentët me industrinë përmes përvojave praktike në fushën e patundshmërive

Programi Menaxhimi i Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT vazhdon t’u ofrojë studentëve mundësi për të ndërthurur njohuritë akademike me përvojat konkrete nga industria, duke i përgatitur ata për sfidat dhe mundësitë e tregut të punës.

Në kuadër të lëndës “Ndërmarrësia në Patundshmëri”, studentët patën kënaqësinë të mirëpresin CEO-n e kompanisë “Shtepiaku”, Besnik Vrella, i cili ndau me ta përvojën e tij praktike në krijimin, zhvillimin dhe menaxhimin e një ndërmarrjeje.

Gjatë këtij takimi, studentët u njohën nga afër me rrugëtimin e një ideje biznesore drejt krijimit të një ndërmarrjeje, procesin e identifikimit dhe realizimit të një mundësie biznesore, si dhe faktorët që ndikojnë në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e një biznesi në treg.

Përmes përvojës së ndarë nga Vrella, studentët patën mundësi të kuptojnë më konkretisht edhe sfidat që shoqërojnë zhvillimin e një biznesi, mënyrat e përballimit të tyre dhe mundësitë që ofron tregu i patundshmërive për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë apo të zhvillojnë iniciativa të tyre sipërmarrëse.

Aktivitete të tilla janë pjesë e qasjes së UBT-së për një mësimdhënie të orientuar drejt praktikës dhe industrisë, ku studentët nuk kufizohen vetëm në njohuritë teorike të trajtuara gjatë ligjëratave, por kanë mundësi t’i shohin ato të zbatuara në situata reale dhe përmes përvojave të profesionistëve të fushës.

Përmes ligjëratave praktike, takimeve me profesionistë, diskutimeve me përfaqësues të industrisë dhe aktiviteteve të orientuara drejt praktikës, studentët e këtij programi përfitojnë një përvojë më të plotë akademike dhe profesionale.

Exit mobile version