UBT News

UBT hap thirrjen për abstrakte në Konferencën Ndërkombëtare të Stomatologjisë

UBT ka shpallur hapjen zyrtare të thirrjes për dorëzimin e abstrakteve për Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologji (IC-DS 2025), e cila do të zhvillohet në kuadër të aktiviteteve të edicionit të 14-të të Konferencës Ndërkombëtare të UBT-të.

Kjo konferencë synon të bashkojë studiues, profesionistë dhe praktikues të fushës së stomatologjisë nga vende të ndryshme të botës, për të ndarë njohuri, përvoja dhe rezultatet më të fundit kërkimore në këtë fushë gjithnjë në zhvillim.

Fokusimi tematik

IC-DS 2025 mbulon një spektër të gjerë temash nga fusha e shkencave dentare dhe disiplinave të ndërlidhura, përfshirë:

  • Stomatologji e Përgjithshme
  • Mjekësi Orale
  • Kërkime në Stomatologji
  • Inovacione dhe Avancime në Stomatologji
  • Stomatologji me Laser
  • Nano-Stomatologji
  • Stomatologji Kozmetike
  • Kirurgji Orale dhe Maksilofaciale
  • Stomatologji Pediatrike
  • Shëndeti Publik Dentar
  • Stomatologji Restauruese
  • Anesteziologji Dentare
  • Higjiena Dentare
  • Pedodontikë dhe Stomatologji Preventive
  • Ortodontikë dhe Ortopedi Dentofaciale

Datat e rëndësishme për aplikuesit:

Dorëzimi i abstrakteve: deri më 10 tetor 2025

Njoftimi për pranim: më 17 tetor 2025

Rishikimi shkencor (peer-reviewed): më 17 tetor 2025

Regjistrimi i hershëm: deri më 17 tetor 2025

Regjistrimi i vonuar: deri më 20 tetor 2025

Dorëzimi i punimeve të plota: deri më 14 nëntor 2025

Dorëzimi i punimeve

Punimet që do të prezantohen në konferencë duhet të jenë origjinale, të papublikuara më parë dhe të mos jenë në shqyrtim në ndonjë konferencë apo revistë tjetër. Gjatësia maksimale e punimit është 6 faqe.

Të gjitha punimet që nuk përputhen me formatin e kërkuar do të refuzohen automatikisht. Për udhëzime më të detajuara rreth formatimit dhe dorëzimit, pjesëmarrësit inkurajohen të vizitojnë faqen zyrtare të konferencës në faqen e UBT-së.

UBT ka kënaqësinë t’i ftojë të gjithë të interesuarit – akademikë, profesionistë të shëndetit, studiues dhe studentë – të marrin pjesë në IC-DS 2025 dhe të kontribuojnë me punimet e tyre në këtë ngjarje me karakter ndërkombëtar dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimin e shkencave dentare në rajon dhe më gjerë.

Për më shumë informacione, vizitoni faqen zyrtare të konferencës në UBT: KONFERENCA E UBT-së

Exit mobile version