Në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, nesër do të hapet zyrtarisht edicionit i 14-të i Konferencës Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion – një prej ngjarjeve më të rëndësishme akademike dhe shkencore në rajon, e cila bashkon mijëra akademikë, studiues dhe studentë nga dhjetëra shtete të botës.
Kjo konferencë vjetore e organizuar nga UBT ka për qëllim të shërbejë si një platformë ndërkombëtare për shkëmbim idesh, kërkime shkencore dhe përvoja profesionale, duke ndërlidhur botën akademike me industrinë dhe inovacionin praktik.
Ky edicion pritet të ofrojë dhjetëra sesione paralele, punime shkencore, prezantime inovative dhe panele diskutimi, duke reflektuar trendet më të fundit globale në biznes, teknologji, edukim, mjekësi, energji, arkitekturë dhe fusha të tjera ndërdisiplinare.
