Me aktivitete interaktive, diskutime frymëzuese dhe sesione praktike, Akademia Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion, e organizuar nga Fakulteti i Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në kuadër të Global UBT Fest 2026, po vijon me sukses, duke krijuar një platformë të veçantë për zhvillimin e ideve të reja, aftësive sipërmarrëse dhe bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë.

Duke bashkuar studentë, akademikë dhe profesionistë të sektorit privat, kjo akademi verore po ofron një ambient dinamik të të mësuarit, ku njohuritë teorike ndërthuren me përvojat praktike dhe shembujt konkretë nga bota e biznesit.
Gjatë sesionit të udhëhequr nga Prof. Gonxhe Beqiri, pjesëmarrësit u njohën me temën “Marketingu dhe krijimi i vlerës për klientët e synuar”, ku u trajtuan konceptet themelore të marketingut të orientuar drejt konsumatorit. Përmes punës në grupe, analizimit të rasteve praktike dhe prezantimeve, studentët identifikuan segmente të synuara të tregut, analizuan nevojat e konsumatorëve dhe zhvilluan propozime vlere (Value Proposition) për ide të ndryshme biznesi, duke fuqizuar aftësitë e tyre në hartimin e strategjive efektive të marketingut.
Në kuadër të programit, Prof. Ermira Shehu prezantoi konceptin e ndërmarrësisë sociale si një model bashkëkohor biznesi që ndërthur qëndrueshmërinë financiare me ndikimin pozitiv në shoqëri. Përmes shembujve nga Evropa, Amerika dhe Kosova, pjesëmarrësit u njohën me mënyrën se si ndërmarrjet sociale adresojnë sfida të ndryshme përmes inovacionit, partneriteteve strategjike dhe përdorimit të teknologjisë.
Një fokus i veçantë iu kushtua edhe modeleve të financimit të ndërmarrjeve sociale, ndërsa diskutimet me studentët u përqendruan në identifikimin e komponentëve socialë, ekonomikë dhe mjedisorë që mund të integrohen në modelet e tyre të ardhshme të biznesit.
Pjesë e rëndësishme e akademisë ishte edhe prezantimi i Znj. Zana Lipoveci Kastrati, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në Elkos Group, e cila ndau me studentët përvojën e zhvillimit të kësaj kompanie, një prej historive më të suksesshme të ndërmarrësisë në Kosovë. Ajo foli për rëndësinë e vizionit strategjik, inovacionit dhe ndërtimit të një kulture organizative që mbështet kreativitetin dhe zhvillimin e vazhdueshëm.
Gjatë këtij sesioni, studentët u njohën me sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi digjital, zhvillimi i produkteve inovative dhe përshtatja e bizneseve me kërkesat e ekonomisë moderne. Diskutimet aktive dhe shkëmbimi i ideve krijuan një hapësirë të vlefshme për reflektim mbi rolin e ndërmarrësisë në zhvillimin ekonomik.
Po ashtu, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë nga z. Detjon Axhami nga kompania Frutex, i cili prezantoi rrugëtimin e kompanisë nga një prodhues vendor deri në një markë të suksesshme në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht ato evropiane.
Gjatë prezantimit u trajtuan tema si sfidat e eksportit, përmbushja e standardeve ndërkombëtare, kërkesat ligjore të tregjeve të huaja dhe strategjitë që kanë ndihmuar Frutex të rrisë konkurrueshmërinë në nivel global. Përmes këtij sesioni, studentët fituan një perspektivë praktike mbi procesin e internacionalizimit të bizneseve dhe faktorët që ndikojnë në krijimin e kompanive të suksesshme.
Akademia Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion në UBT po vazhdon të ofrojë një përvojë gjithëpërfshirëse për studentët, duke i pajisur ata me njohuri, aftësi praktike dhe frymëzim për të zhvilluar ide të reja dhe për t’u përgatitur për sfidat e tregut bashkëkohor të punës dhe biznesit.
