Në kuadër të strategjisë së UBT-së për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe zgjerimin e partneriteteve strategjike me institucionet prestigjioze evropiane, një delegacion i UBT-së, i udhëhequr nga Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe i përbërë nga Prof. Dr. Artan Tahiri, Drejtoresha Fisnete Hajrizi, Zëvendësdrejtoresha e UBT International Smart Schools, Shqipe Agushi dhe Drejtor i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, zhvilloi një vizitë zyrtare në Institutin Politeknik të Tomarit (Instituto Politécnico de Tomar), në Portugali, në kuadër të programit Erasmus+.

Delegacioni u mirëprit nga Presidenti i Institutit Politeknik të Tomarit, Prof. João Freitas Coroado, me të cilin zhvilloi një takim të nivelit të lartë, si dhe realizoi takime pune me nënpresidentët Prof. Natércia Santos dhe Prof. Célio Gonçalo Marques, prorektorët, dekanët, drejtuesen e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar MSc. Maria Catroga dhe përfaqësuesit e qendrave të hulumtimit dhe inovacionit.
Gjatë takimeve, palët diskutuan mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus në zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe diplomave të dyfishta, rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, pjesëmarrjen në projekte dhe iniciativa ndërkombëtare, si dhe angazhimin aktiv në kuadër të Aleancës Evropiane të Universiteteve KreativEU. Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe shkëmbimit të përvojave në zhvillimin e metodologjive inovative të mësimdhënies, transformimit digjital të arsimit, hulumtimit shkencor dhe inovacionit.
Gjatë vizitës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi para drejtuesve të institucionit partner rrugëtimin 25-vjeçar të UBT-së, duke theksuar zhvillimin e tij si një nga institucionet lider të arsimit të lartë në rajon. Ai prezantoi modelin unik UBT Smart City, i cili integron arsimin, teknologjinë, inovacionin dhe sipërmarrjen në një ekosistem modern universitar, si dhe Qendrën e Ekselencës për Edukim, e cila promovon praktika bashkëkohore të mësimdhënies, zhvillimit profesional dhe kërkimit shkencor.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Institutit Politeknik të Tomarit prezantuan organizimin akademik të institucionit, kapacitetet kërkimore, laboratorët modernë dhe projektet që zhvillohen në bashkëpunim me partnerë evropianë, duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit me UBT-në në fusha me interes të përbashkët.
Delegacioni i UBT-së pati gjithashtu mundësinë të vizitojë infrastrukturën moderne të institucionit, laboratorët, qendrat e hulumtimit dhe inovacionit, si dhe të njihet nga afër me praktikat më të mira që aplikohen në fushën e arsimit të lartë, teknologjisë dhe transferimit të njohurive.
Në kuadër të programit të vizitës, delegacioni vizitoi edhe disa prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike të Portugalisë, përfshirë Convento de Cristo në Tomar, monument i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe qytetin historik universitar të Coimbra-s, i njohur për traditën e tij shekullore akademike dhe vlerat e jashtëzakonshme kulturore.
Në përfundim të vizitës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i adresoi një ftesë zyrtare Presidentit të Institutit Politeknik të Tomarit, Prof. João Freitas Coroado, dhe bashkëpunëtorëve të tij për të zhvilluar një vizitë kthyese në Kosovë, gjatë organizimit të aktiviteteve dhe ngjarjeve ndërkombëtare akademike që UBT do të organizojë gjatë këtij viti. Vizita pritet të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt konkretizimit të iniciativave të përbashkëta dhe zgjerimit të bashkëpunimit në arsim, hulumtim, inovacion dhe zhvillim ndërkombëtar.
Kjo vizitë konfirmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar dhe fuqizuar partneritete të qëndrueshme me institucione prestigjioze evropiane, duke krijuar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe komunitetin shkencor, si dhe duke forcuar më tej pozicionin e UBT-së në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.
