UBT News

UBT feston me ceremoni solemne gradimin e Gjeneratës së 22-të të studentëve

Në një atmosferë solemne dhe plot emocion, UBT ka shënuar ceremoninë e gradimit të Gjeneratës së 22-të të studentëve, duke i dhuruar Kosovës dhe rajonit një brez të ri profesionistësh, inovatorësh dhe liderësh të ardhshëm. Ceremonia u zhvillua në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, në dy sesione, për të mirëpritur me nderim e krenari qindra të diplomuar të programeve Bachelor dhe Master në fusha të ndryshme.

Studentët, të entuziazmuar për këtë arritje të madhe akademike, përmbyllën një kapitull të rëndësishëm të jetës së tyre, për të nisur tashmë një rrugëtim të ri profesional e shoqëror.

Në këtë ngjarje, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, shprehu krenarinë dhe gëzimin e tij për suksesin e studentëve, duke i përgëzuar për punën e palodhur dhe përkushtimin e treguar gjatë viteve të studimeve.

“Ky është një moment krenarie, reflektimi dhe gëzimi. Ju tashmë keni treguar se me disiplinë, vullnet dhe dije mund të arrini gjithçka. Si gjenerata e 22-të e UBT-së, ju do të mbani mbi supe përgjegjësinë për të qenë ambasadorë të dijes, inovacionit dhe vlerave që përfaqëson ky institucion”, tha Rektori Hajrizi.

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik. Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, uroi studentët për suksesin e tyre, ndërsa e pranishme ishte edhe përfaqësuesja e Ambasadës së Italisë në Kosovë, Refaela Rittuci.

Ceremonia u pasurua me fjalimet e ish-studentëve të UBT-së që ndanë përvojat e tyre të suksesshme.

Fortesa Kllokoqi, alumni e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, ndau rrugëtimin e saj nga studimet në Infermieri dhe Shkencat Paramjekësore në UBT, deri te puna e saj aktuale në Spitalin United.

“Rruga ime nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, por ka qenë gjithmonë e vlefshme. UBT më mësoi se me punë, pasion dhe mbështetje, çdo ëndërr mund të bëhet realitet. Sot jam krenare që si ish-studente e këtij institucioni po kontribuoj drejtpërdrejt në kujdesin shëndetësor”.

Nga ana tjetër, arkitekti i njohur dhe themeluesi i Maden Group, Ideal Vejsa, foli për rrugëtimin e tij profesional pas përfundimit të studimeve Master në UBT. Ai theksoi se sfidat janë pjesë e natyrshme e profesionit, por janë ato që e bëjnë punën më kreative. “Çdo projekt është një mundësi për të testuar ide të reja dhe për të lënë gjurmë. Kjo është diçka që e mësova në UBT dhe që më ka shoqëruar në çdo hap të karrierës sime”, tha Vejsa.

Fjalë mirënjohjeje dhanë edhe disa nga studentët e diplomuar.

Marigona Doberlluka, nga Fakulteti i Psikologjisë, tha se UBT nuk është vetëm vend studimi, por edhe një hapësirë e shëndetshme dhe frymëzuese për zhvillim personal e profesional.

“Këtu mësuam se sfidat nuk janë pengesa, por mundësi për të zbuluar potencialin tonë të vërtetë. UBT është vendi ku ëndrrat marrin formë”, theksoi ajo.

Ndërsa Beatrisë Shabanaj, nga Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, e cila së shpejti do të vazhdojë studimet Master në Frankfurt me bursën prestigjioze Deutschlandstipendium, u shpreh:

“Ky institucion më ka dhënë dije, vlera dhe guxim për të synuar më lart. Sot e ndaj këtë sukses me profesorët, prindërit dhe kolegët e mi, duke besuar se secili prej nesh do të vazhdojë të bëjë ndryshim në shoqëri”.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte betimi solemn i studentëve, i udhëhequr nga Rinor Rexhaj dhe Fjona Sylejmani, si dhe betimi i Hipokratit i udhëhequr nga Mjellma Çollaku, duke simbolizuar përkushtimin e të diplomuarve për t’i shërbyer dijes, shëndetit dhe vendit me ndershmëri e përgjegjësi.

Atmosfera u gjallërua edhe nga interpretimet muzikore të studentëve të Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhimit: Eda Lecaj me “I will survive”, Leona Ferati me “Firework” dhe Genta Selmani me “We are the Champions”.

Ceremonia kulmoi me hedhjen e kapelave në ajër, një moment i shumëpritur dhe simbol i përfundimit të një periudhe të mbushur me punë, përkushtim dhe sakrifica. Me këtë gjest, Gjenerata e 22-të e UBT-së nisi zyrtarisht kapitullin e ri të jetës së saj.

UBT, me dy dekada përvojë dhe arritje, po dëshmon edhe një herë se mbetet lider kryesor i arsimit, inovacionit dhe zhvillimit në Kosovë dhe rajon.

Exit mobile version