UBT News

UBT dhe Universiteti “Fan S. Noli” nga Korça diskutojnë projekte të përbashkëta në fushën e inovacionit dhe inteligjencës artificiale

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik një delegacion nga Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë, të kryesuar nga Rektori Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, së bashku me stafin Dr. Aida Mosko, Prof. As. Dr. Lorena Zeqo dhe Marie Dojçe.

Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësinë të njihej nga afër me infrastrukturën moderne të UBT-së, laboratorët inovativë, hapësirat teknologjike dhe projektet zhvillimore që realizohen në kuadër të Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik.

Në takimin ndërmjet përfaqësuesve të dy institucioneve u diskutua për avancimin e bashkëpunimit akademik dhe institucional, zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore dhe kërkimore, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Fokus i veçantë iu kushtua inovacionit në arsim, inteligjencës artificiale, programeve ndërkombëtare, shkëmbimeve akademike dhe ndërlidhjes së studimeve me tregun e punës dhe industrinë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar, duke theksuar se partneritete të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë në arsim, shkencë dhe teknologji, si dhe në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu, delegacioni mori pjesë edhe në Konferencën për Lidership, ku Rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, theksoi:

“UBT është pararojë jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në botë. Korça është një qytet me traditë në arsim dhe vendi ku u hap shkolla e parë shqipe. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi së bashku për të zhvilluar më tej projektet tona të përbashkëta, sidomos në fushën e inteligjencës artificiale”, tha Ekonomi.

Exit mobile version