Në një hap të rëndësishëm për avancimin e fushës së teknologjisë informative dhe komunikimit, UBT dhe Policia e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Ky partneritet ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe ofrimin e mundësive të reja për zhvillimin e burimeve njerëzore, arsimimin dhe trajnimin e specialistëve të Policisë në fushën e sigurisë publike dhe teknologjisë.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, me qëllim forcimin e bashkëpunimit akademik dhe praktik mes dy institucioneve.
Marrëveshja e arritur do të mundësojë zhvillimin e formave të reja të bashkëpunimit në fushat e arsimit, trajnimit profesional dhe përdorimit të teknologjive inovative, që janë thelbësore për të përmbushur kërkesat e sigurisë publike në një botë gjithnjë e më digjitalizuar. Pjesë e këtij bashkëpunimi është gjithashtu ndihma për forcimin e kapaciteteve të Policisë për t’u përballur me sfidat e reja që paraqiten në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
UBT mbetet i angazhuar në zhvillimin e vazhdueshëm të programeve akademike dhe përgatitjes së ekspertëve të nivelit të lartë, të gatshëm për t’u integruar në sektorët më të rëndësishëm të shoqërisë.