UBT ka fituar statusin e anëtarit të ACEEU (The Accreditation Council for Entrepreneurial & Engaged Universities), duke hyrë kështu në një rrjet global të universiteteve më të mira për ndërmarrësi dhe impakt shoqëror.
Ky anëtarësim shënon një hap të rëndësishëm historik për UBT-në dhe për Kosovën, duke e pozicionuar këtë institucion në mesin e universiteteve që udhëheqin transformimin global në arsim, sipërmarrje dhe inovacion.
Përmes anëtarësimit, UBT fiton mundësi të shumta për bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e praktikave më të mira akademike dhe qasjen në një rrjet global ekspertësh dhe institucionet të përkushtuara ndaj arsimit të orientuar nga impakti shoqëror.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u shpreh se ky është një konfirmim i rrugëtimit të jashtëzakonshëm të UBT-së:
“Anëtarësimi në ACEEU është dëshmi se vizioni ynë për një universitet ndërmarrës, inovativ dhe të orientuar drejt shoqërisë është duke u realizuar. Kjo është një arritje jo vetëm për UBT-në, por për gjithë Kosovën, duke e vendosur vendin tonë në hartën e arsimit të lartë ndërkombëtar”.
Ky zhvillim forcon pozitën e UBT-së si lider në Ballkanin Perëndimor dhe si një institucion që ofron standarde të reja në arsim dhe teknologji, duke i dhënë Kosovës një zë të fuqishëm në platformat globale akademike.