Në Qendrën e UBT-së në Prizren u mbajt Mbledhje Komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Prof. Dr. Faton Kabashit, i cili u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë.

Në këtë Mbledhje Komemorative, morën pjesë familjarë, kolegë, miq, bashkëpunëtorë dhe studentë të shumtë, të cilët kujtuan me mall dhe nder figurën e profesorit të ndjerë, i cili u dallua për profesionalizëm, humanizëm dhe përkushtim ndaj dijes dhe edukimit të brezave të rinj.
Babai i tij, Shaip Kabashi, në fjalën e tij, falënderoi të pranishmit për respektin dhe nderimin që po i bëhet të birit, duke theksuar se Fatoni ka lënë pas një boshllëk të madh në familje dhe në shoqëri.
“Ai ishte jo vetëm bir e baba i mirë, por edhe një njeri i urtë, që gjithmonë i shërbente dijes dhe të tjerëve me përkushtim”, tha babai Kabashi.
Sekretari i UBT-së, Artan Tahiri, në emër të institucionit dhe të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, kujtoi Prof. Kabashin si një profesionist të jashtëzakonshëm dhe njeri të urtë, që frymëzonte me shembullin e tij.
“UBT humbi një profesor të përkushtuar, por kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e komunitetit tonë akademik”, theksoi Tahiri.
Ndërkaq, drejtori i gjimnazit “Loyola” në Prizren, Blerand Koshi, në emër të institucionit që përfaqëson, shprehu ngushëllimet për humbjen e një mësuesi dhe intelektuali që kishte ndikuar pozitivisht në formimin e shumë nxënësve.
Prof. Dr. Faton Kabashi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar akademike dhe njerëzore. Ai ishte baba i tre fëmijëve – vajzave Ronës dhe Eldës, dhe djalit Gledi.
Varrimi i profesorit të ndjerë është kryer sot, në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Prizrenit.
