Lionel Messi i tha CNN-it se Paris Saint-Germaini është vendi ideal për të për ta fituar Ligën e Kampionëve edhe njëherë.
Superylli argjentinas nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare me klubin francez të martën. Messi tha se ambiciet e tij dhe të klubit francez përputhen.
“Jam i vetëdijshëm për bagazhin tim profesional dhe objektivat që i ka ky klub – të luftojmë për të fituar Ligën e Kampionëve, dhe ky klub ishte gati që ta arrinte këtë vitet e fundit”, deklaroi ai.
“Në nivelin personal, do të doja të triumfoja edhe njëherë në Ligën e Kampionëve, ashtu siç kam thënë edhe më herët, dhe mendoj se kam ardhur në vendin ideal që është gati për këtë. Ndajmë qëllimet e njëjta. Ka lojtarë të shkëlqyer, është skuadra më e mirë në botë, dhe shpresoj që do ta arrijmë këtë meqë Parisi e do këtë shumë”, deklaroi ai më tej.
Vetëm disa ditë më parë, Messi shpërtheu në lot gjatë një konference lamtumire në Barcelonë, klubi në të cilin ai kaloi në futbollin evropian dhe lulëzoi.
Gjatë kohës sa ishte me gjigantët katalanas, Messi fitoi dhjetë tituj të ligës spanjolle, si dhe gjashtë Topa të Artë.
Edhe pse e pranoi në konferencë për shtyp se largimi nga Barcelona ishte vendim “shumë i vështirë”, ai gjithashtu tha se është “shumë i lumtur” në klubin e tij të ri dhe mezi pret të ardhmen.
“E vërteta është, e kam të vështirë ta përshkruajë me fjalë çfarë përjetova këtë javë. Ishte shumë e vështirë ajo çfarë ndodhi me Barcelonën – t’i them lamtumirë klubit ku isha gjithë jetën time. Dhe pas tri ditësh – pa e harruar çfarë ka ndodhur – gjithçka ndryshoi. Kisha shumë dyshime, bëhesha nervoz, pritshmëri se kjo do të ndodhte dhe… shumë i entuziazmuar për të filluar”, deklaroi ai.
“Ishte pritje e veçantë nga njerëzit që dolën rrugëve. Jam shumë i lumtur për ta filluar këtë epokë dhe jam i gatshëm ta fillojë jetën time këtu në Paris”, shtoi ai.
Pas largimit nga Barcelona, Messi pranoi se miqtë e tij në PSG – ish-shoku i tij i Barcelonës, Neymar, argjentinasi Angel Di María dhe Leandro Paredes – i ndihmuan atij rreth vendimit për të ardhur në “Qytetin e Dritave”./UBTNews