Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka adresuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së një nga fjalimet e tij më të forta diplomacisë ndërkombëtare, ku deklaroi se përballet me një “vendim të madh” sa i përket konfliktit me Iranin: arritjen e një marrëveshjeje paqësore ose shkatërrimin e plotë ushtarak të tij.
Gjatë fjalimit para një salle të mbushur plot, Trump mbrojti ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Teheranit, duke theksuar se kjo parandaloi pajisjen e Iranit me armë bërthamore. Ai bëri të ditur se pret një marrëveshje të mundshme menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit, ndërsa vuri në pah diplomacinë shtrënguese.
“A do të arrihet një marrëveshje me Iranin që i lejon ata të rindërtohen? Apo ta shkatërroj Republikën Islamike shpejt, duke mos u dhënë më kurrë mundësi të vrasin e të shkatërrojnë? A t’i çoj ata direkt në ferr?”, u shpreh Trump nga foltorja e OKB-së.
Pavarësisht retorikës së ashpër, prapaskenat e OKB-së shënuan lëvizje intensive diplomatike. Përfaqësuesit amerikanë dhe ata iranianë zhvilluan takime përmes ndërmjetësimit të Katarit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit konfirmoi negociatat indirekte, duke theksuar se kushti i Teheranit mbetet ndalimi i agresionit amerikan.
Përveç krizës me Iranin, Trump preku edhe çështje të tjera kyçe globale:
Lufta në Ukrainë: Trump parashikoi përfundimin e shpejtë të konfliktit Rusi-Ukrainë, duke njoftuar se po punon ngushtë me udhëheqësit e të dyja vendeve. Në këtë kuadër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të takojë Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Marrëveshja për Grenlandën: Në margjinat e asamblesë, Trump nënshkroi një marrëveshje ushtarake tripartitake me Danimarkën dhe Grenlandën, e cila ruan sovranitetin e ishullit arktik por i jep SHBA-së qasje të gjerë në hapësirën ajrore dhe detare.
Inteligjenca Artificiale: Trump hodhi poshtë frikën ndaj teknologjisë së re, duke propozuar që Inteligjenca Artificiale të riemërohet në “Super Inteligjencë” dhe zotoi se SHBA-ja do të ruajë udhëheqjen ndaj Kinës.
Kritika ndaj OKB-së: Presidenti amerikan hodhi poshtë konceptin e një “qeverie globale”, duke kritikuar burokracinë e OKB-së dhe duke theksuar sovranitetin kombëtar dhe fuqinë ushtarake amerikane.
Fjalimi i Trumpit erdhi menjëherë pas mesazhit lamtumirës të Sekratarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, i cili paralajmëroi për thellimin e ndarjeve globale dhe kërkoi nga fuqitë e mëdha të njohin kufijtë e ndikimit të tyre. /BBC/
