Trepça ka shënuar një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme ndaj Bashkimit me rezultat të ngushtë 80-84, në një atmosferë fantastike në palestren “Sezai Surroi” në Prizren, duke krijuar kështu një epërsi komode prej 3-0 në serinë finale të Playoff-it në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ndeshja e tretë finale e këtij edicioni ofroi një luftë të madhe sportive dhe dramë deri në sekondat e fundit të takimit. Mitrovicasit e nisën më mirë ndeshjen duke e mbyllur pjesën e parë me një epërsi prej 10 pikësh, mirëpo prizrenasit nuk u dorëzuan dhe reaguan fuqishëm në pjesën e dytë. Bashkimi arriti ta përmbiste rezultatin dhe madje kaloi në avantazh gjatë çerekut të fundit, përpara se Trepça të tregonte karakter në momentet vendimtare dhe ta riktente epërsinë për ta mbyllur sfidën me triumf.
Te skuadra e Trepçës më të dalluarit në parket ishin Kenneth Hasbrouck me 22 pikë të shënuara dhe Dardan Kapiti, i cili kontribuoi me 14 pikë e 9 kërcime. Në anën tjetër, te Bashkimi nuk mjaftoi loja e shkëlqyer e Shannon Shorter, i cili ishte më efikasi i ndeshjes me 25 pikë e 5 kërcime, i ndihmuar edhe nga Jalen Riley që shtoi 22 pikë. Ndeshja e katërt e kësaj serie finale, ku Trepça mund të shpallet kampion, do të zhvillohet sërish në Prizren.
