Klubi i basketbollit Trepça ka shënuar edhe fitoren e dytë radhazi në serinë finale të play-offit në Superligën e Kosovës, duke mposhtur Bashkimin me rezultat 93:83. Ndeshja e zhvilluar në palestrën “Minatori” në Mitrovicë dhuroi basketboll të nivelit të lartë dhe rivalitet të fortë, por vendasit arritën të shkëputen në momentet vendimtare, të shtyrë edhe nga përkrahja masive e shikuesve.
Atmosfera në palestër ishte e jashtëzakonshme, ku mbi 3 mijë tifozë mitrovicas kishin mbushur shkallët e “Minatorit” për të mbështetur skuadrën e tyre drejt mbrojtjes së titullit. Kjo fitore vjen pas triumfit të parë që Trepça e arriti javën e kaluar me rezultatin 94:79, duke dëshmuar formë të lartë në këtë fazë finale.
Me këtë rezultat, Trepça tani udhëheq serinë finale me epërsi 2-0. Seria e ndeshjeve tani zhvendoset në Prizren, ku ballafaqimi i tretë do të luhet të dielën nga ora 19:30 në palestrën “Sezai Surroi”, ku Bashkimi do të kërkojë përmbysjen, ndërsa Trepça mundësinë për të mbyllur llogaritë.
