UBT News

Tre të vdekur nga një aksident në Gjermani, dy janë të rinj nga Rahoveci

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën pasdite në Gjermani, duke lënë të vdekur tre persona, mes të cilëve edhe dy të rinj nga Komuna e Rahovecit.

Ngjarja tragjike është regjistruar në rrugën B311, pranë qytetit Erbach në landin Baden-Württemberg, ku në një përplasje zinxhirorë janë përfshirë gjithsej nëntë automjete.

Viktimat nga Kosova janë identifikuar si Leart Morina nga fshati Sopniq dhe Berhan Zeka nga fshati Pataqan i Poshtëm i Komunës së Rahovecit. Lajmin për vdekjen e tyre e ka konfirmuar kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, i cili u ka shprehur ngushëllime familjeve Morina dhe Zeka.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, dy drejtues të automjeteve, të moshës 18 dhe 19 vjeç, kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar ka vdekur disa orë më vonë në spital, pasi nuk u ka mbijetuar plagëve të marra. Nga ky aksident kanë mbetur të lënduar edhe tre persona të tjerë, përfshirë një 26-vjeçare e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. /E.A/

Exit mobile version