UBT News

Trazirat në Iran: Këngëtari u hesht, por kënga e tij shndërrohet në himn proteste

Edhe pse ai është heshtur pas arrestimit, kënga e këngëtarit iranian Shirvin Hajipour – në mbështetje të protestave për vdekjen e Mahsa Amini në paraburgim – ka mbetur një himn jozyrtar i lëvizjes.

Kënga “Baraye” arriti 40 milionë shikime në Instagram përpara se të fshihej kur Hajipour u arrestua, por që atëherë ai është liruar me kusht dhe është distancuar nga politika, me gjasë si kusht për lirimin e tij.

Baraye, fjala persiane “Për” ose “Sepse”, përbëhet nga tweet-at në lidhje me protestat dhe dëshirat kryesore që njerëzit kanë për gjërat që mungojnë në Iranin e goditur nga sanksionet, ku shumë ankohen për vështirësitë e shkaktuara nga keqmenaxhimi ekonomik.

Ajo bazohet gjithashtu në aktivitetet e përditshme që i kanë vënë njerëzit në telashe me autoritetet në republikën islamike.

Baraye është dëgjuar të luhet me zë të lartë gjatë natës nga blloqet e banesave në Iran për të treguar mbështetje për protestat e shkaktuara nga vdekja e Aminit më 16 shtator, pasi policia famëkeqe e moralit e arrestoi atë për dyshime se kishte shkelur rregullat, sipas të cilave gratë duhet mbajtur hixhab dhe rroba modeste.

Ajo u këndua gjithashtu me ëndje nga diaspora iraniane në mitingje në më shumë se 150 qytete anembanë botës në fundjavë.

Kënga u hoq nga llogaria e Hajipour në Instagram menjëherë pas arrestimit të tij, por është ende gjerësisht e disponueshme në platformat e tjera të mediave sociale, duke përfshirë Twitter dhe YouTube.

Menjëherë pas lirimit, Hajipour është rikthyer në Instagram, por këtë herë për të kërkuar falje dhe distancuar nga politika./UBTNews/

Exit mobile version