UBT News

Travolta kujton vallëzimin shumë të diskutuar me Lady Diana-n

John Travolta kujton vallëzimin shumë të diskutuar me Lady Diana-n: ‘Ishte si një përrallë’

Në nëntor të vitit 1985, Lady Diana dhe John Travolta ishin të ftuar në një mbrëmje organizuar nga presidenti i Amerikës asokohe, Ronald Reagan dhe bashkëshortja e tij, Nancy. Travolta mbante veshur një kostum të zi, ndërsa Diana një fustan prej cope kadifeje në ngjyrë blu të errët, shoqëruar me një varëse me gur safiri dhe perla. Diana dhe Travolta vallëzuan nën tingujt e filmit “Saturday Night Fever”, një nga filmat që e vendosi Travolta-n në qendër të vëmendjes. Vallëzimi i tyre, tepër i diskutuar në atë periudhë, është një nga momentet më të rëndësishme në jetën e aktorit.

John Travolta kujton vallëzimin shumë të diskutuar me Lady

Në një intervistë për Esquire Mexico, 67-vjeçari rikujtoi vallëzimin, për të cilin u shpreh se nuk ishte i përgatitur për të kërcyer me princeshën e Uellsit.”Nuk mendoja se do të më kërkonin të kërceja me të. Ishte privilegj dhe nder i madh të kërceja dhe mendova, ‘Duhet të ketë një arsye dhe më mirë të jap maksimumin’. Kjo do të thoshte të drejtoje vallëzimin mirë dhe të argëtoheshim. Kjo ishte pjesa e lehtë, por vetëm fakti i përshëndetjes së duhur ndaj Diana-s, të qenit me vetëbesim dhe kërkesa për të kërcyer ishte një detyrë e ndërlikuar.” – tha ai.

Travolta u shpreh se momentin e përjetoi si një “përrallë” që do të vazhdonte ta mbante mend për dekadat e ardhshme.

“Mendoni thjesht për vendodhjen. Ishim në Shtëpinë e Bardhë. Ishte mesnatë. Skena është si një ëndërr. Unë i afrohem, i prek bërrylin, e ftoj të vallëzojmë. Ajo rrotullohet dhe më jep atë buzëqeshjen joshëse, paksa të trishtuar dhe pranon ftesën. Dhe pastaj u gjendëm atje, duke kërcyer së bashku sikur të ishte një përrallë..

Aktori shtoi se nuk e imagjinonte kurrë që do të ndodhte. Ylli i “Saturday Night Fever” ka zbuluar më parë se ishte Nancy Reagan ajo që i tha se princeshë Diana dëshironte të kërcente me të. Në një tjetër intervistë, në “Good Morning America” në vitin 2016, Travolta u pyet nëse kishte ndonjë gjë nga vitet ’80 që do të donte të sillte sërish. Ai tha se do të donte të kërcente përsëri me Lady Diana-n.

Në atë periudhë, vallëzimi i Diana-s nën shoqërinë e një ylli të Hollywood-it shkaktoi jo pak komente dhe sot, fustani nga Victor Edelstein konsiderohet si një nga veshjet më ikonike të saj.

Të njëjtin fustan, Diana e veshi edhe në evente madhore, duke përfshirë këtu një vizitë shtetërore në Austri në 1986-n, një në Shtëpinë Mbretërore të Operës në 1991-shin dhe me të njëjtin fustan u fotografua nga fotografi britanik Antony Charles Robert Armstrong-Jones i njohur si Lord Snowdon sepse në 1960–1978 ishte bashkëshorti i princeshës Margaret (motra e mbretëreshës Elizabeth II), kontesha e Snowdon.

Exit mobile version