Vedat Muriqi po përgatitet të largohet nga La Liga dhe nga klubi i Mallorcës, ku ka luajtur për 2.5 sezone duke u bërë një nga sulmuesit kryesorë të ekipit sa herë që ka qenë i shëndetshëm.
Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur për yllin kosovar, i cili shpesh është përfolur për rikthimin në Superligën turke gjatë periudhave të transferimeve. Sipas mediumit turk Akşam, Muriqi, ish-lojtar i Fenerbahçes, ka vendosur të kthehet në Turqi për të luajtur te Beşiktaşi.
Beşiktaşi, i cili e nisi sezonin me një fitore të thellë 5-0 kundër Galatasaray në Superkupë, po vazhdon përpjekjet për të forcuar skuadrën e tij. Bardhezinjtë janë të interesuar për të përforcuar rotacionin e sulmuesve dhe kanë kthyer vëmendjen te Muriqi.
Sipas mediave spanjolle, Beşiktaşi i ka ofruar Muriqit një kontratë dyvjeçare dhe sulmuesi kosovar duket i hapur për t’u rikthyer në Turqi. Gjithashtu, thuhet se në rast se nuk arrihet një marrëveshje për blerjen e tij, Beşiktaşi mund të kërkojë një marrëveshje huazimi për 30-vjeçarin./UBTNews/