Futbollisti Lucas Trejo po përballet me një humbje të madhe familjare, pasi bashkëshortja e tij, Yanina Maranella, së bashku me dy fëmijët e tyre Aarón Trejo dhe Ainhoa Trejo, janë konfirmuar ndër viktimat e tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën javën e kaluar.
Sipas klubit të tij C.S. Marítimo de La Guaira, i cili e kishte afruar Trejon në muajin shkurt, familja e tij është në mesin e mbi 1,400 viktimave të regjistruara nga fatkeqësia natyrore. Klubi ka shprehur ngushëllimet përmes një deklarate publike në rrjetet sociale, duke theksuar dhimbjen e madhe që ka goditur lojtarin dhe komunitetin sportiv.
“Në këtë moment dhimbjeje të madhe, lutemi për prehjen e shpirtrave të tyre dhe për forcën e Lucas-it dhe familjes së tij për ta përballuar këtë tragjedi”, thuhet në reagimin e klubit, i cili i ka ofruar mbështetje të plotë futbollistit 38-vjeçar.
Trejo ndodhej në Karakas në një kamp stërvitor me ekipin e tij në momentin kur ndodhën tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë. Ai është kthyer menjëherë në shtëpinë e tij në La Guaira, zonën më të goditur nga fatkeqësia.
Sipas dëshmive të familjarëve, situata në vendngjarje ka qenë e rëndë dhe ndërtesa ku jetonte familja është shkatërruar pothuajse plotësisht. Ende nuk është konfirmuar nëse familja ndodhej brenda banesës në momentin e tërmeteve.
Në operacionet e kërkimit është përfshirë edhe ish-futbollisti Edson Tortolero, i cili ka ndihmuar në gërmimet e mbetura dhe ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimave. Ai e ka cilësuar ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar komuniteti sportiv në vend.
Ndërkohë, një tjetër futbollist, Héctor Bello, ka humbur bashkëshorten e tij Andrea Bello, e cila sipas raportimeve ka vdekur duke mbrojtur vajzën e tyre 20-muajshe gjatë tërmeteve. Bello e ka përshkruar atë si “heroinën e tij”, duke premtuar se do t’ia tregojë vajzës historinë e saj kur të rritet.
Autoritetet venezueliane vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa bilanci i viktimave dhe i dëmeve materiale mbetet shumë i rëndë./A.K/
