Një ngjarje e rëndë ka tronditur Podgoricën, ku tre persona janë gjetur të vrarë në një apartament të marrë me qira. Sipas Policisë së Malit të Zi dhe raportimeve nga mediumi “Vijesti”, viktimat dyshohet se janë shqiptarë nga Rozhaja, përfshirë dy vëllezër me mbiemrin Hoti.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim personin e dyshuar, Vehid Muriq, po ashtu nga Rozhaja, i cili besohet se ka kryer vrasjen e trefishtë me armë të ftohtë. Dyshohet se motivi i krimit ishte një mosmarrëveshje e çastit mes të dyshuarit dhe viktimave, të cilët ishin miq dhe punonin së bashku në ndërtim.
Krimi u zbulua në mënyrë të tërthortë pasi i dyshuari, pasi kreu vrasjet në Podgoricë, u kthye në qytetin e tij të lindjes ku ushtroi dhunë ndaj familjarëve të tij. Ishte pikërisht denoncimi i familjes në polici për dhunë që çoi hetuesit drejt zbulimit të tmerrshëm në kryeqytetin malazez. Policia po vazhdon operacionin për kapjen e autorit të dyshuar.
