Një ngjarje e rëndë ka goditur një familje me origjinë nga Shqipëria në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën pasi banesa e tyre dykatëshe u përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Nga ky zjarr katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, ndodhen në gjendje kritike për jetën në spital. Bilanci u konfirmua nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden.
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në zonën Windergate Drive. Me të mbërritur në vendngjarje, ekipet e shpëtimit gjetën katin e parë të përfshirë nga flakët e fuqishme dhe katin e dytë të mbushur me tym të dendur.
Ndonëse dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga ndërtesa, zjarrfikësit gjetën brenda tre fëmijët e tjerë pa shenja jete. Sipas dëshmive të fqinjëve, banorët e zonës ndihmuan për të nxjerrë nga dritarja e katit të dytë një foshnjë dhe një adult përpara se zjarri të vihej nën kontroll rreth orës 05:40.
Pranë banesës së shkatërruar mbërritën edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari, teksa mediat lokale kapën momentet prekëse të familjarëve pranë shtëpisë së dëmtuar rëndë.
Departamenti i Zjarrfikësve ka shprehur ngushëllime të thella për familjen, ndërsa Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për t’i ardhur në ndihmë personave të mbetur pa strehë. Autoritetet kompetente kanë nisur menjëherë hetimet për të përcaktuar shkaqet e këtij zjarri fatal.
