Reperi amerikan, Travis Scott po përballet me probleme ligjore pasi tetë persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar pas një përplasjeje në festivalin e tij “Astroworld” në Teksas.
Njëri nga të lënduarit, Kristian Parede, ka akuzuar reperin Scott dhe reperin Drake (i cili doli me një performancë surprizë për fansat) se kanë nxitur turmën, dhe po kërkon dëshpërblim 1 milion dollarë. Asnjëri nga dy yjet nuk e komentoi padinë.
Në një prononcim pas tragjedisë, Scott u zotua se do t’i ndihmojë familjarët e viktimave – ku më i riu ishte 14-vjeçar. Shkaqet e vdekjeve nuk dihen akoma.
Në një deklaratë për shtyp duke njoftuar padinë, avokati i Teksasit, Thomas J. Henry, deklaroi se Drake dhe Scott vazhduan të performonin edhe kur automjetet u përpoqën të depërtonin nëpër turmë për të ndihmuar ata që ishin lënduar dhe të tjerët kërkuan që shfaqja të ndalej.
Nuk është hera e parë që Scott përballet me veprime ligjore për koncert. Në vitin 2018, ai u deklarua fajtor për çrregullim publik, meqë inkurajoi fansat që të nxitonin në skenë në një koncert në shtetin amerikan të Arkansas. Sipas një gazete lokale, ai dha gati 7 mijë dollarë dëmshpërblim për dy persona që thanë se pësuan lëndime në atë ngjarje./UBTNews