Afati kalimtar i janarit është mbyllur thuajse para dy muaj dhe kjo do të thotë se lojtarëve që iu skadon kontrata në verën e vitit 2024 janë të lirë të negociojnë me klubet e tjera.
Një listë me plotë emra të njohur është ajo që do t’ua prezantojmë më poshtë, yje që janë të disponueshëm aktualisht si transferime falas gjatë verës së ardhshme.
- Adrien Rabiot
Adrien Rabiot, mesfushori francez që aktualisht luan në Serie A, me Juventusin, do të jetë i disponueshëm si agjent i lirë në verën e vitit 2024. Kontrata e tij me Juventusin skadon në fund të sezonit aktual, duke e bërë atë një opsion tërheqës për klubet që kërkojnë mesfushorë me përvojë dhe të talentuar.
Adrien Rabiot iu bashkua gjigantëve italianë në korrik 2019 si agjent i lirë nga PSG. Duke performuar mjaft mirë për të fituar respekt të madh në Torino. Poashtu, thuhet se Juventus ka ofruar mundësinë e vazhdimit të kontratës Rabiot, kështu që është ende e mundur që ai të qëndrojë në Torino. Por agjenti i tij, është një person i vështirë për t’u përballur dhe ka shumë mundësi që francezi mund të kërkojë një largim nga Italia.
- Anthony Martial
Karriera e Anthony Martial nuk ka shkuar siç duhet në “Old Trafford” dhe kjo e gjitha për shkak të lëndimeve të shpeshta të tij. Francezi pati shpeshherë paraqitje frustruese dhe asnjëherë nuk arriti t’i bindte drejtuesit e “Djave të Kuq”. Kështu sipas të gjitha gjasave kontrata e tij, nuk do të vazhdohet dhe ai do të jetë i lirë të negociojë me skuadra të tjera që nga 30 qershori i këtij viti.
- Luka Modric
Një karrierë në Real Madrid e cila ka zgjatur gati 14 vjet tashmë mund të përfundojë në fund të këtij sezoni.
Pasi nënshkroi një rinovim verën e kaluar, ditët e Luka Modric në Bernabeu mund të jenë të numëruara, mirëpo ende nuk ka ndonjë gjë konkrete nga klubi apo edhe nga lojtari.
- Toni Kroos
Teksa, Real Madrid ka ndërmarrë hapa për të rinovuar mesfushën e tyre në vitet e fundit, Kroos vazhdon të luajë në një nivel të lartë dhe nuk ka dyshim se ai ka më shumë për të dhënë me ‘Los Blancos’. Kështu pritet që madrilenët t’ia rinovojnë kontratën gjermanit.
- Piotr Zielinski
Reprezentuesi polak është një nga yjet më të nënvlerësuar të Serie A, edhe pse roli i tij në triumfin e Napolit sezonin e kaluar ishte i jashtëzakonshëm.
Sidoqoftë, Zielinksi ishte afër largimit nga Napoli për në Arabinë Saudite verën që lamë pas. Megjithatë, është e mundur që ai të largohet nga Napoli me parametra zero në fundin e këtij edicioni.
- Keylor Navas
Pas ardhjes së Gianluigi Donnarumma-s te PSG, Keylor Navas nuk ka arritur të jetë më titullar i përhershëm në formacion. Megjithatë periudha katërvjeçare në Francë e portierit nga Kosta Rika duket se do të përfundojë këtë verë.
- Marco Reus
Pavarësisht se nuk ishte në gjendje t’i shpëtonte lëndimeve gjatë karrierës së tij, koha e Reus në “Signal Iduna Park” ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme.
Fatkeqësisht, ai nuk ishte në gjendje të fitonte titullin e parë të Bundesligës me Dortmundin sezonin e kaluar dhe duket se mund t’i mbarojë koha për të fituar atë me skuadrën të cilën përfaqëson për më shumë se një dekadë dhe poashtu pritet që 33-vjeçari të largohet nga gjermanët.
- Thiago Silva
Pavarësisht se është afër të 40-tave, Silva vazhdon të luajë rregullisht me Chelsea në Premier League. Megjithatë duke pasur parasysh se blutë do të jenë mjaft aktiv në afatin kalimtar të verës, ata mund të jenë të gatshëm ta lënë veteranin të largohet nga Stamford Bridge në fund të ketij sezoni.
Braziliani ka ende shumë për të dhënë në një nivel elitar dhe me shumë gjasë ofertat për të nuk do të mungojnë.
- Joel Matip
Joel Matip ka vazhduar të paraqitet mjaft mirë për Liverpool-in këtë sezon, pavarësisht konkurrencës. Mirëpo, një dëmtim në fund të vitit të kaluar kundër Fulham mund ta ketë bërë atë të luajë ndeshjen e tij të fundit për “The Reds”.
Kontrata e senegalezit skadon verën e ardhshme. Në anën tjetër, Klopp ka lënë të kuptohet se Matip do të rinovoj me Liverpoolin, megjithëse pronarët e klubit mund të mos jenë të gatshëm t’i ofrojnë 32-vjeçarit një kontratë të re.
- Olivier Giroud
Pavarësisht moshës së tij, Olivier Giroud ka treguar formë të shkelqyeshme në Serie A. Sulmuesi francez vazhdon të shënojë shpesh për Milanin, inteligjenca dhe cilësia e tij teknike e bëjnë atë të pandalshëm.
Kështu Milan nuk e sheh jashtë skuadrës 37-vjeçarin, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm edhe pse kontrata e tij skadon këtë verë./UBTNews/