Premier League konsiderohet si liga më e fortë dhe më konkurruese në futbollin botëror aktualisht. Duke pasur parasysh presionin e menaxherëve për rezultate më të mira, nganjëherë mundësitë për lojtarët e rinj janë të kufizuara, por në anën tjetër ka një numër talentësh të cilët dita-ditës po zhvillohen mjaft shumë.
Në njoftimin e fundit të ‘Transfermarkt’, vlera e Premier League u rrit për 10.30 milionë euro, kështu duke e bërë kampionatin anglez më të shtrenjtin në botë momentalisht me një vlerë prej 11.15 miliardë eurosh në treg.
Por cilët janë dhjetë lojtarët më të vlefshëm nën moshën 21-vjeçare në Premier League?
- Jérémy Doku – Manchester City – 21 vjeç – 65 milionë euro:
Jérémy Doku u përshtat me stilin e lojës së Pep Guardiolas, duke fituar minuta direkt në krahun e majtë të sulmit te Manchester City, shpeshherë edhe para Jack Grealish. Ai madje barazoi një rekord në Premier League, duke regjistruar katër asistime në një ndeshje (6-1 kundër Bournemouth). Performanca e tij ka rënë paksa që nga fillimi i vitit, por kujtojmë që ai është në moshën 21-vjeçare dhe gjithmonë ka hapësirë për përmirësim në të ardhmen.
- Rasmus Højlund – Manchester United – 21 vjeç – 65 milionë euro:
Sulmuesi danez nuk arriti të shënonte në 11 ndeshjet e para të Premier League në vitin 2023, por forma e tij hasi ngritje në vitin 2024. Goli i tij i parë në kampionat erdhi pikërisht në fund të dhjetorit kundër Aston Villa-s, para se një dëmtim të pengonte rritjen dhe zhvillimin e tij. Højlund shënoi shtatë gola në gjashtë ndeshje kështu duke e mbyllur fuqishëm sezonin me ‘djajtë e kuq’ duke triumfuar në finalen e ‘FA Cup’ ndaj Manchester Cityt.
- Kobbie Mainoo – Manchester United – 19 vjeç – 50 milionë euro:
Në një sezon mjaft të dobët për Man United, padyshim një nga gjërat pozitive ishte sezoni i jashtëzakonshëm i mesfushorit të talentuar, Kobbie Mainoo. 19-vjeçari shënoi disa gola të rëndësishme gjatë këtij edicioni si dhe u ftua në skuadrën provizore të Anglisë për EURO 2024.
- Evan Ferguson – Brighton – 19 vjeç – 50 milionë euro:
Evan Ferguson doli në skenë sezonin e kaluar dhe shënoi gjashtë gola në Premier League në sezonin e tij debutues për Brighton. Në fillim të këtij sezoni, ai pati ngritje si dhe shënoi gjashtë gola në 11 paraqitje. Talenti irlandez ka tërhequr vëmendjen e shumë nga klubeve kryesore të Evropës. Megjithatë mungesa e minutazhës ka pësuar një rënie prej 10 milionë euro në tregun e transferimeve.
- Levi Colwill – Chelsea – 21 vjeç – 50 milionë euro:
Pavarësisht një sezoni tjetër të dobët për Chelsean, ku ‘Blutë’ përfunduan në vendin e gjashtë në Premier League duke pranuar 63 gola, Levi Colwill ka pasur një sezon pozitiv në aspektin profesional. Pas huazimit te Brighton, ai arriti të siguronte minuta në mbrojtjen e Chelseat ku bëri 23 paraqitje në ligë për Blues këtë sezon, si dhe bëri debutimin e tij për Kombëtaren e Anglisë në muajin tetor ndaj Australisë.
- Alejandro Garnacho – Manchester United – 19 vjeç – 45 milionë euro:
Kur Alejandro Garnacho shënoi golin e jashtëzakonshëm ndaj Evertonit në muajin nëntor, të gjithë te Manchesteri si dhe tifozët e futbolldashësit mbetën të habitur. Argjentinasi ashmë ka fituar çmimin e golit të muajit dhe është shpallur si një pretendent i fortë për golin e sezonit. Që atëherë, ai ka qenë një titullar i rregullt për skuadrën Ten Hag, dhe ka qenë një nga pikat e forta të Manchester Unitedit.
- Destiny Udogie – Tottenham – 21 vjeç – 45 milionë euro:
Pas huazimit të tij te Fiorentina sezonin e kaluar, jo shumë prisnin që Udogie të kishte një ndikim kaq të madh në ekipin e parë të Tottenhamit këtë sezon. Megjithatë mbrojtësi italian kontribuoi me dy gola dhe tri asistime gjatë këtij sezoni. Vlera e 21-vjeçarit në tregun e transferimeve u rrit për 5 milionë euro në muajin mars, por pas dëmtimit të tij ndaj Newcastle në prill të këtij viti, ai e mbylli sezonin më herët sesa që pritej.
- Jarrad Branthwaite – Everton – 21 vjeç – 42 milionë euro:
Evertoni e përfundoi sezonin 23/24 me mbrojtjen e katërt më të mirë në Premier League. Një nga meritorët për këtë statistikë ka qenë edhe Jarrad Branthwaite, i cili ka dhënë kontributin e tij në vijën e mbrojtjes. Ai është përfshirë në skuadrën provizore të Anglisë për EURO 2024 dhe shumë skuadra evropiane kanë shprehur interes për shërbimet e tij. Në njoftimin e fundit të ‘Transfermarkt’, shtatlarti anglez pati një rritje prej 12 milionë € në tregun e transferimeve.
- Pape Matar Sarr – Tottenham – 21 vjeç – 40 milionë euro:
Një tjetër lojtar me cilësi të mira në skuadrën e Tottenhamit këtë sezon. Mesfushori i talentuar senegalez ka shënuar tri gola dhe tri asistime në Premier League këtë sezon, dhe vlera e tij në tregun e transferimeve u rrit për 5 milionë euro, sipas njoftimit të fundit.
- Rico Lewis – Manchester City – 19 vjeç – 38 milionë euro:
Rico Lewis bëri debutimin e tij në kampionatin anglez në moshën 18-vjeçare në nëntor të vitit të kaluar kështu duke hasur në ngritje, falë pjesëmarrjes së vazhdueshme me ekipin e parë të Manchester Cityt. Lewis është futbollist i cili mund të mbulojë edhe pozitën e mesfushës përveç krahut të djtathtë të mbrojtjes. Ai është njëri ndër lojtarët e rinj më të vlerësuar në Evropë dhe shënoi një rritje prej 18 milionë € në përditësimin e vlerës së tij në treg në muajin dhjetor të vitit të kaluar./UBTNews/