Pas një mungese njëvjeçare për shkak të pandemisë, Panairi i 24-t i Librit u çel sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me pjesëmarrjen e 95 shtëpive botuese.
I organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë ky panair, që vjen pas një periudhe shumë të vështirë si për lexuesit, ashtu edhe për botuesit, do të jetë i hapur në datat 17-21 nëntor.
Në një konferencë për mediet kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, tha se “në panair ka shumë të ftuar, por unë do të përmend njërin prej tyre, që është Nicola La Goia, shkrimtar dhe president i Sallonit të Librit në Torino”.
Duke e cilësuar panairin një festë dhe aktivitet gjallërues për Tiranën, Ymeri tha se “këtë vit ishim në kushte të vështira se kemi ngushtuar stendat, gati 25 % më pak, qoftë në hollin kryesor, qoftë në ballkonadë, kjo që korridoret të jenë më të lira e më të bollshme. Ndaj kemi pasur më pak të ardhura nga arkëtimet për shitjet e stendave”.
Lidhur me oraret e panairit Ymeri sqaroi se “sa më të shkurtra të jenë qëndrimet, aq më mirë është për të gjithë. Orari do jetë nga ora 09:00 deri në orën 20:00. Do të ketë një orë pushimi nga ora 14:00-15:00 për t’u ajrosur, ndërsa janë të ndaluara vizitat kolektive”.
Ai shtoi se do të shmangen qëndrimet e gjata, e ndërsa librarët janë të vaksinuar ose me test PCR, vizitorët duhet të jenë me maska.
Si çdo panair tjetër edhe këtë vit do të ndahen çmime sipas kategorive nga organizatorët.
Këtë vit ky panair përveç titujve të rinj për lexuesit, do të sjellë takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi, workshop-e, seminare etj. Në panair marrin pjesë botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Panairi i 24-t i Librit këtë vit organizohet me mbështetjen e bashkisë së Tiranës dhe të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit. Ndryshe nga herët e tjera ky panair do të organizohet duke respektuar masat anti-COVID.ATSH