UBT News

Tirana, qyteti më koston më të lartë të jetesës, Kukësi e Dibra më të lirat në Shqipëri

Shpenzimet e familjeve shqiptare u rritën me 1.3% vitin e kaluar krahasuar me vitin 2020. Sipas Institutit të Statistikave, vlera e shpenzimeve mesatare për konsum, llogaritet në 84.5 mijë lekë, nga 83.4 mijë lekë që ishte.

Pjesa më e madhe e tyre, gati 41.3% e buxheteve familjare shkojnë për t’u ushqyer, ndërsa rreth 10% e shpenzimeve për banesën për mbulim e faturave të energjisë, ujit apo pagesat e qirasë. Të dyja këto grupe së bashku përbëjnë peshën më të madhe të shpenzimeve të buxhetit të një familje shqiptare, me mbi gjysmën e tyre.

Produktet ushqimore që prej vitit të shkuar kanë parë një shtrenjtim të vazhdueshëm duke bërë që kostot për blerjen e tyre të rriten ndjeshëm, veçanërisht pas krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Referuar anketës së Instat, rritje të ndjeshëm kanë shënuar edhe shpenzimet për komunikimin kryesisht nga shërbimet e internetit si dhe shpenzimet për arsim si rrjedhojë e rritjes së atyre për kurse të gjuhëve apo trajnimeve që ndjekin fëmijët apo të rriturit. Të njëjtin trend kanë ndjekur edhe ato për mobilimin e shtëpive.

Tirana kryeson edhe listën si qarku me nivelin më të lartë që një familje shpenzon për konsum, mesatarisht 99.4 mijë lekë në muaj ndjeshëm më shumë se mesatarja në rang vendi, e pas saj vijnë Korça dhe Fieri përkatësisht me 83.5 dhe 80.7 mijë lekë në muaj. Sa i takon qarqeve me nivelin më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore vrojtimi evidenton Dibrën dhe Kukësin që nuk kapërcejnë 72 mijë lekë në muaj./Top Channel/

Exit mobile version