UBT News

Tirana, kryeqyteti i letërsisë evropiane për tre ditë

Në mjediset e “Shtëpisë së Evropës”, nisi festivali treditor i Letërsisë Evropiane në Tiranë, i njohur si FELT. Ky aktivitet, organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe ambasadat e Kroacisë, Francës, Greqisë, Italisë, Irlandës dhe Polonisë, synon të promovojë pasurinë e letërsisë evropiane dhe të krijojë ura lidhëse mes autorëve dhe lexuesve shqiptarë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, përshëndeti ceremoninë e hapjes, duke theksuar rëndësinë e letërsisë si një mjet për të frymëzuar dhe për të ndërtuar shoqëri më të hapura dhe gjithëpërfshirëse. Në ditën e parë të festivalit, autorja irlandeze Catherine Prasifka dhe shkrimtari grek Kristos Armando Gezos zhvilluan takime me lexuesit, duke ndarë perspektivat dhe përvojat e tyre krijuese.

Festivali FELT, i cili do të zhvillohet në datat 12-14 dhjetor, përfshin një seri aktivitetesh në tre lokacione kryesore: “Shtëpia e Evropës,” Biblioteka Kombëtare (Qendra “Sotir Kolea”), dhe Qendra e Artit “Agimi.” Përmes leximeve, diskutimeve dhe takimeve me autorët, eventi synon të ofrojë një pasqyrë të pasur të peizazheve letrare evropiane.

Në festival marrin pjesë autorë të njohur nga vende të ndryshme, si Catherine Prasifka (Irlandë), Kristos Armando Gezos (Greqi), Dominique Barbéris (Francë), Miro Gavran (Kroaci), Paolo Giordano (Itali), Margo Rejmer (Poloni) dhe Annet Schaap (Holandë), të cilët do të prezantojnë veprat e tyre dhe do të ndajnë rrëfime frymëzuese mbi procesin e krijimit.

Duke trajtuar tema aktuale si të drejtat e njeriut, traumat e së kaluarës, pasojat e konflikteve, sfidat e epokës dixhitale dhe ëndrrat e trazuara të individëve, FELT thekson fuqinë e letërsisë për të nxitur dialog dhe për të krijuar mirëkuptim ndërkulturor. Ambasadori Gonzato nënvizoi se festivali është një kremtim i vlerave evropiane, duke afruar Shqipërinë me BE-në përmes artit të fjalës së shkruar.

Drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, shtoi se festivali aspiron të nderojë traditat e pasura letrare të Evropës dhe të krijojë një hapësirë për shkëmbime frymëzuese midis autorëve evropianë dhe shqiptarëve.

Një aspekt i rëndësishëm i FELT është përfshirja e brezit të ri. Autorët e pranishëm do të vizitojnë shkolla të mesme për të takuar nxënësit dhe për të ndarë me ta rëndësinë e leximit dhe fuqinë transformuese të letërsisë.

Ky festival shënon një mundësi të jashtëzakonshme për lexuesit shqiptarë që të zhytën në universin e letërsisë evropiane, ndërsa autorët ndërtojnë ura të reja komunikimi përmes artit dhe dialogut kulturor./UBTNews/

 

Exit mobile version