UBT News

Tingujt kabaistikë të kompozitorit Aleksandër Peçi emocionojnë publikun vjenez

ATSH/ Kompozitori i njohur Aleksandër Peçi ka arritur sukses tek publiku vjenez me koncertin e tij, ku u interpretuan pjesët kontemporane të krijmtarisë së tij nga 3 instrumentistë të talentuar shqiptarë.

Koncerti u dha në sallën Alten Rathais të Bank Austria, një nga sallat më prestigjioze të Vienës, duke dhuruar një natë magjike në këtë ambient aristokrat, ku muzika shqiptare kumboi e jashtëzakonshme nën interpretimin e instrumentistëve Kosti Deti Janela Nini dhe Kristi Hifzi.

Kompozitori Peçi shprehu mirënjohjen për profesor Markus Prause me të cilin studiojnë Kosti dhe Kristi i cili mundësoi sallën e koncertit si një nderim ndaj kauzës së modernizimit të muzikës ku Peçi është i fokusuar.

Në nisje të koncertit, publiku u informua nga vetë kompozitori Aleksandër Peçi në lidhje me metodën e tij të Kabaizmi dhe logon apo vulën e tij kompozicionale: Polygravite CC2 Composition.

Kristi Hifzi hapi koncertin me overtonet e Sonatës 7 Spektralia, duke marrë ovacione nga publiku. Eshtë hera e tetë që luhet kjo sonatë brenda pak vitesh në disa metropole: Tiranë, Trieste, Vienë Pragë, Moskë.

Janela Nini luajti më pas “Walzt of sëan” ( Vals i mjelmës). Nga nëntori kur u shfaq premiera e kësaj vepre e deri në koncertin e Vjenës është luajtur 5 herë. Pas kësaj poetike të “Valsit të Mjelmës” publikun e pushtoi kontrasti i fuqishëm me tone dramatike i sonatës n2 për violin e piano.

Koncertin e vijoi Kosti Deti me “Fryn veriu”, perlën korçare të Tefta Tashkos. Maja emocionale do të vinte me “Sonata 4 Kabacells”, vepër të cilën vetë kompozitori i njohur Aleksandër Peçi e cilëson si modelin më të mirë të metodës së tij kompozicionale. Për më se 20 minuta Kosti Deti hipnotizoi publikun me polifoninë tejet origjinale të kësaj sonate, ngritur mbi celulat e kabasë, mbi dhimbjen, protestën e revoltën e saj. Publiku shpërtheu në duartrokitje.

Kompozitori Peçi i emocionuar nga ky koncert i suksesshëm mori edhe lajmin se Sonata n4 Kabacells ishte zgjedhur të luhej nga Kosti në Sallën e Filarmonisë së Vjenës, hera e parë që një sonatë shqiptare të luhet në Muzikverein. Kompozitori Peçi po ashtu u ftua të jepte klasë master në Konservatorin e Vienës mbi metodën e tij të kompozicionit.
Të pranishëm mes publikut vjenez ishin edhe ambasadori shqiptar në Vjenë, Roland Bimo.

Kabaizmi i Peçit

Kabaizimi ose muzika kabaistike është platforma e re kompozicionale me të cilën Aleksandër Peçi ka hyrë në muzikën e fundshekullit të 20-të dhe në shekullin 21.
Kabatë janë inde lakrimoze antike që polifonizojnë e transformohen në një Univers Kabaizmi në shek 21, duke suprimuar muskulaturën metronomike e çliruar muzikën nga vijendarëset e masave, inde lakrimoze që dhimbjen e përthyejnë në kaleidoskope dritë – hije me Logon Polygravite CC2 Composition të Peçit, për t’i dhënë sinjale vendbanimit të shpirtit.

Kabaizmi është një estetikë e dhimbjes, vajtimit, vuajtjes, lutjes, lamentacionit .Kabaizmi është një metodë kompozimi që reflekton polifoninë dhe kabanë shqiptare.

Exit mobile version