Nastasia Kordyla-Balke gjatë praktikës pedagogjike një një shkollë në Lehe në Bremerhaven. 38-vjeçarja i përket komunitetit sinti dhe rom, është nënë e tre fëmijëve, punon me kohë të plotë, studion, vullnetarizon dhe kujdeset edhe për një të afërm.
“Nuk e mendoja që një sinticë, si unë mund të merrte ndonjëherë statusin e nëpunësit civil apo mund të punonte në sektorin publik.” – thotë Nastasia Kordyla-Balke.
Nastasia Kordyla-Balke
Sinti dhe romët janë ende të diskriminuar në sistemin arsimor gjerman. Kjo shpesh pengon avancimin arsimor, siç tregon raporti i vitit 2021 i Komisionit të Pavarur për Anticiganizmin. Komisioni shqyrtoi për dy vjet situatën e popullsisë sinti dhe rome në Gjermani.
“Ti je një hiç, nuk di të bësh asgjë” – të tilla fjalë dëgjojnë shpesh nxënësit e komunitetit të sinti dhe romëve në Gjermani, shkruhet nër një studim të zhvilluar nga shoqata RomnoKher lidhur me mundësitë e pjesëtarëve të këtij komuniteti për t’u shkolluar dhe për t’u punësuar në Gjermani.
“Hajdutë, muzikantë, fallxhorë dhe lypës”
Autorët e studimit intervistuan 614 pjesëtarë të këtij komuniteti. Në studim ata tregojnë se në Gjermani ka mjaft racizëm, anticiganizëm dhe diskriminim: 40 përqind e të intervistuarve thanë se fëmijët e tyre janë diskriminuar si nga mësuesit dhe nga shokët e klasës. Dy të tretat e gjithë të anketuarve ndjehen të diskriminuar, sepse i përkasin një pakice, përfshirë këtu edhe sistemin arsimor. Megjithatë aty ku mësuesit kujdesen për fëmijët e pakicave, ata arrijnë në përgjithësi rezultate të larta shkollore.
Nastasia Kordyla-Balke gjatë praktikës pedagogjike
“Një popull që përbëhet vetëm nga hajdutë, muzikantë, fallxhorë dhe lypës” – ky është përfytyrimi që ekziston në Gjermani për rreth 6,3 milionë sintit dhe romët që jetojnë në BE. Këtë e përjetoi me vajzën e saj, Delaya, edhe Nastasia. Delaya ndërroi shkollën në klasën e dytë fillore. Në ditën e parë të shkollës, mësuesja e klasës tha se vajza e saj duhej të përsëriste klasën e parë. Më vonë, pa e ditur Nastasia, Delaya u testua për diskalkulim – një dobësi matematikore. Në dëftesë mësuesja shkroi: “Delaya tregon interes të madh për muzikën. Ajo kërcen dhe këndon me shumë gëzim dhe përkushtim.”
Stereotipe dhe diskriminim
Një stereotip tipik për sintit dhe romët, thotë Nastasia. Me diskriminim përballen si fëmijët sinti dhe romë nga familjet që kanë ardhur si emigrantë në Gjermani, edhe ata që janë sinti dhe romë gjermanë.
Një nga të intervisturait për studimin tregon për rastin e nënës së një nxënësi, e cila kur mori në telefon për të regjistruar fëmijën në shkollë e trajtuan normalisht për shkak të emrit të saj gjerman, por kur ajo dhe i shoqi u paraqitën në shkollë mësuesit filluan t’u bëjnë pyetje të çuditshme për shkak “të ngjyrës së errët të flokëve dhe të lëkurës” dhe papritmas e caktuan djalin e tyre që të shkonte në një klasë me mësim plotësues edhe pse ai ishte me nota të mira.
“Dallim i frikshëm” kundrejt popullsisë në përgjithësi
Të gjithë fëmijët e pakicës sinti dhe roma ndjekin tani shkollën fillore në Gjermani, por nga studimi bëhet gjithashtu e qartë se një pjesë e madhe e tyre – një në tre – nuk arrijnë ta mbarojnë shkollën fillore dhe nuk kanë mundësi as të mësojnë ndonjë profesion. Prandaj shumë syresh gjejnë punë të paguara keq.
Por edhe ata që arrijë të fillojnë një shkollim profesional, rreth 50% nuk arrijnë ta mbarojnë. Ndërkohë që kjo shifër për pjesën tjetër të popullsisë është vetëm 5%.
Dallimet fillojnë që në kopshtet fëmijëve, sepse në to ka shumë pak fëmijë që u përkasin pakicave, vazhdojnë në shkollë dhe reflektohen edhe në numrin e pakët të sinti dhe romëve që mbarojnë universitetin ose shkollën e lartë. Kështu nga 15% e të rinjve që arrijnë të mbarojnë maturën, vetëm 4% e tyre mbarojnë studimet e larta. Një arsye mund të jetë që familjet shpesh nuk janë në gjendje t’i mbështesin fëmijët në mënyrë të mjaftueshme për të kryer studimet dhe se ata nuk gjejnë mundësi për bursa ose forma të tjera mbështetjeje financiare.DW