Themeluesi i Spotify, Daniel Ek, ka thënë se megjithëse ai “dënon fuqishëm” ofendimet raciste dhe komentet e tjera të bëra nga prezantuesi amerikan i podcast-it, Joe Rogan, ai nuk po e heq atë nga platforma. Komentet u bënë të ditura përmes një letre që ai ia dërgoi stafit, letër që u pa nga mediat Reuters dhe Hollywood Reporter.
Deklaratat e tij erdhën pasi Rogan kërkoi falje gjatë fundjavës për gjuhën raciste në podcast-in e tij të famshëm. Ek thotë se ishte vendim i Rogan që të hiqen disa episode të kaluara.
Rogan kërkoi falje meqë në një video që u shpërnda gjerësisht, shihej ai duke përdorur fjalë raciste në mënyrë të përsëritur. 54-vjeçari kërkoi falje dhe i konsideroi deklaratat e tij “të turpshme”.
Ek, që është shef ekzekutiv dhe bashkëthemelues i platformës Spotify, tha: “Unë e dënoj fuqishëm atë që tha Joe… Por dua ta siguroj çdonjërin – se nuk besoj që largimi i tij nga platforma është zgjidhje”.
Disa artistë sikurse Neil Young dhe Joni Mitchell u larguan nga platforma Spotify si shenjë proteste ndaj siç thonë ata përhapjes së dezinformatave rreth koronvirusit nga Rogan./UBTNews