Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka publikuar një artikull të gjatë dhe të detajuar mbi protestat që po tronditin Shqipërinë. Sipas medias ndërkombëtare, ajo që nisi si një kundërshtim ndaj projekteve turistike të Jared Kushner dhe Ivanka Trump, tashmë është shndërruar në një valë të madhe zemërimi popullor ndaj establishmentit politik dhe “klasës oligarkike”.
Në shkrimin e saj të titulluar “Duam një Shqipëri të re”: Protestat kundër resortit të mbështetur nga Jared Kushner kthejnë zemërimin nga qeveria, gazetarja Helena Smith përshkruan se si planet për ndërtimin e resorteve luksoze në Ishullin e Sazanit dhe në gadishullin e Zvërnecit kanë nxitur një kryengritje që nuk ishte parë që nga rënia e komunizmit.
Sazani: Nga një “parajsë e vogël” në qendër të përplasjes
Artikulli e nis rrëfimin me dëshminë e Ina Shkurtit, një kartografe 32-vjeçare, familja e së cilës kishte emigruar në SHBA kur ajo ishte 11 vjeç. Për të dhe për shumë shqiptarë, Sazani është një vend i shenjtë kujtimesh.
“A jam e tërbuar? Sigurisht që po,” thotë Shkurti për The Guardian. “Sazani është ishulli ynë i vetëm. Është një parajsë e vogël që ka një vend të veçantë në zemrat e shqiptarëve. Që të vijnë disa çiftesh të pasur, ta zhvillojnë dhe të na ndalojnë qasjen, ky do të ishte një krim.”
Lindja e “Revolucionit të Flamingove”
The Guardian raporton se protestat tashmë njihen gjerësisht si “Revolucioni i Flamingove”, për shkak të kërcënimit të drejtpërdrejtë që këto projekte paraqesin për mjedisin dhe ekosistemet delikate, veçanërisht në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Narta, ku ndodhen rrugët migruese të qindra shpendëve të rrallë.
“Kjo qeveri nuk na përfaqëson më,” shton Shkurti. “Ajo ka zgjedhur të përfaqësojë investitorët oligarkë si Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Këto protesta nuk do të ndalen, edhe nëse tashmë nuk bëhet fjalë ekskluzivisht vetëm për ta.”
Sipas artikullit, me mijëra qytetarë, përfshirë shumë pjesëtarë të diasporës që kanë fluturuar posaçërisht nga SHBA dhe Evropa, u mblodhën në Tiranë gjatë fundjavës në tubimin më të madh të shënuar deri më tani.
Rama refuzon të tërhiqet, ekspertët paralajmërojnë rrezik
Në shkrim vërehet se këto protesta — të cilat janë pa liderë dhe jopartiake — kanë kapur në bafsi zyrtarët në Tiranë dhe Bashkimin Evropian.
Përballë thirrjeve të përditshme për dorëheqje, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të përgjigjet me nervozizëm, humor dhe një “idhnim të fshehur me vështirësi”, por duke refuzuar prerazi të tërhiqet. Ai e ka mbrojtur investimin prej 1.4 miliardë eurosh, duke e quajtur atë jetik që Shqipëria të bëhet “destinacioni më tërheqës i turizmit elitar në Mesdhe”.
Nga ana tjetër, Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Politike, i cituar nga The Guardian, paralajmëron se situata është e rrezikshme:
“Qeveria, siç duket, nuk dëshiron të besojë se të gjithë këta njerëz në rrugë janë kundër saj. Kjo mungesë dialogu, kjo mungesë empatie dhe ky refuzim për të gjetur një zgjidhje është i rrezikshëm.”
Kronologjia e dhunës në terren
Artikulli kujton se kanë kaluar tre javë që kur protestat shpërthyen për herë të parë, pasi buldozerët nisën të pastronin pjesë të pyjeve dhe dunave të lashta në zonën e mbrojtur përballë Sazanit.
Tensionet arritën kulmin kur protestuesit u përballën me kompanitë private të sigurimit që kishin ngritur rrethime për të bllokuar publikun. The Guardian përmend edhe pamjet e rënda ku një pronar i tokës lokale u filmua duke u zvarritur i prangosur nga rojet private mbi terrenin shkëmbor, ndërsa oficerët e policisë, në mënyrë kontradiktore, zgjodhën të mos ndërhynin. /The Guardian/ /E.A/
