UBT News

Tetova prezanton programin “Nëntori në Festë 2026” me aktivitete kulturore e artistike

Qendra e Kulturës në Tetovë ka prezantuar programin “Nëntori në Festë 2026”, i cili përfshin një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike që do të zhvillohen nga 17 deri më 28 nëntor.

Programi përfshin ekspozita personale dhe kolektive, koncerte muzikore, aktivitete folklorike dhe shfaqje teatrale, ndërsa do të kulmojë me aktivitetet e organizuara më 28 nëntor, në kuadër të shënimit të kësaj date.

Ndër aktivitetet e parapara janë ekspozita personale “Rrënjë të padukshme”, koncerti “Rok përrallë në vjeshtë”, koncerti folklorik me fëmijë, koncerti vjetor i Qendrës së Kulturës “Festojmë Nëntorin”, si dhe paraqitjet e ansambleve dhe grupeve artistike.

Programi përfshin gjithashtu ekspozita në hapësirat kulturore dhe shkollore të Tetovës, koncertin e Ansamblit Shtetëror dhe një shfaqje teatrale nga Teatri i Tetovës.

Aktivitetet do të përmbyllen më 28 nëntor me programin “Festojmë 28 Nëntorin”, i cili do të mbahet në INQ “Ilo Anteski Smok” në Tetovë.

Përmes këtij kalendari, Tetova do ta shënojë muajin nëntor me aktivitete që ndërthurin muzikën, artin pamor, folklorin dhe teatrin./A.K/

Exit mobile version