Gjuha e trupit është një metodë efektive dhe e fuqishme për të përçuar mesazhin. Në fakt, gjuha e trupit është e fuqishme po aq sa fjalët, dhe aq më tepër nëse arrini t’i kombinoni ato siç duhet, si kur përpiqeni të dukeni të sigurt para të tjerëve.
Me gjestet tuaja, lëvizjet, ju mund t’i bindni të tjerët që keni vetëbesim, edhe nëse thellë ndjeheni nervoz apo të lodhur.
Pavarësisht nëse doni të leni përshtypje në takim apo në ndonjë intervistë pune, duhet t’i kushtoni vëmendje gjuhës së trupit, sepse është çelësi.
1.Kontakti në sy
Sipas Michael Ellsberg, një ekspert i gjuhës së trupit, kontakti me sy është njëra nga mjetet më të rëndësishme të komunikimit ballë për ballë. Mbajtja e kontaktit të duhur me sy tregon sinqeritet, afrueshmëri, vëmendje dhe gatishmëri për të dëgjuar. Thjesht duhet të keni kujdes që të mos dukeni shumë kureshtar, por përveç kësaj, është një metodë shumë efektive.
Kështu një person që mban kontaktin me sy gjatë bisedës dëshmon se ai ose ajo mund t’iu jap një ndjenjë sigurie teksa dëshmon edhe vetëbesim. Në anën tjetër, e kundërta e saj, nëse shikoni anash ose poshtë kur flisni me dikë, shpesh tregon pasiguri.
2.Mënyra se si qëndroni
Derisa bisedoni me dikë tjetër, rëndësi ka edhe mënyra se si qëndroni. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse jeni ulur, pasi përkulja përpara mund të bëjë vërtet një ndryshim.
Përkulja përpara i tregon personit tjetër që po i kushtoni vëmendje dhe se ju intereson ajo që po thotë. Në të njëjtën kohë, ky qëndrim përçon mesazhin e vetëbesimit duke larguar ose eliminuar barrierat mes jush dhe bashkëbiseduesit tuaj. Në anën tjetër, nëse qëndroni në distancë, kjo tregon mungesë interesi apo vëmendjeje.
3.Mbani kokën drejt
Në përgjithësi, njerëzit që mbajnë kokën ulur ose anash kur flasin, kanë një personalitet introvert.
Këto qëndrime shpesh interpretohen edhe si mungesë e vetëvlerësimit ose vetëbesimit. Nëse, përkundrazi, dikush ecën ose flet me të tjerët me kokën e ngritur, kjo do t’i bëjë ata të duken si një person i sigurt dhe krenar.
Në fakt kjo tregon edhe sinqeritet dhe ndershmëri, sepse ky person nuk po fsheh asgjë dhe nuk frikësohet nga të tjerët.
4.Mbani qëndrim të drejtë dhe të hapur
Është tejet e rëndësishme t’i kushtoni rëndësi pozicionit të trupit, posaçërisht kur keni të bëni me situata më sfiduese, sikurse takim apo intervistë pune. Nëse dëshironi të përçoni mesazhin e vetëbesimit, duhet të qëndroni drejt dhe duhet të dukeni të relaksuar. Mund të mbani shpatullat mbrapa dhe kokën lartë. Kështu ju tregoni se keni vetëbesim. Një qëndrim i përkulur, i tensionuar, me shpatullat përpara dhe kokën poshtë, jep përshtypjen e kundërt: pasiguri, ndrojtje dhe nervozizëm.
Nga ana tjetër, kur flasim për qëndrim të hapur, duhet t’i mbani këmbët ndaras. Kjo vlen edhe për krahët tuaj sepse kjo tregon se jeni i hapur dhe i kushtoni vëmendje asaj që personi tjetër po thotë. Në të kundërt, një qëndrim i mbyllur, me krahët dhe këmbët kryqëzuar ose shumë afër njëri-tjetrit, tregon të kundërtën.
5.Mënyra se si i mbani duart
Nëse dëshironi që dikush tjetër ta kuptojë se sa keni vetëbesim, duhet t’i mbani duart larg nga xhepat. Kjo ju ndihmon që të tjerët të kenë besim te ju. Nëse i mbani duart në xhep, kjo shfaq nervozizëm, pasiguri, dhe nevojë për t’u fshehur ose për të mbajtur distancë. Prandaj duhet t’i mbani në një pozicion më të relaksuar.
6.Drejtoni këmbët drejt personit me të cilin po flisni
Megjithëse mund të duket si një detaj i thjeshtë, madje disi i parëndësishëm, qëndrimi dhe orientimi i këmbëve tuaja kur flisni me të tjerët është gjithashtu një element i rëndësishëm. Mos harroni, gjuha e trupit përcjell mesazh.
Besohet se shumica e njerëzve kanë tendencë të drejtojnë këmbët kur flasin me njerëzit me të cilët identifikohen më shumë, si një mik më i mirë ose dikush që ata e konsiderojnë një udhëheqës. Bazuar në këtë, në mënyrë ideale, duhet të mbani këmbët në një linjë, ndërsa në të njëjtën kohë, të mbani një qëndrim të drejtë. Kjo është një mënyrë e mirë për të treguar se jeni të interesuar për bisedë. Kjo sjellje gjithashtu ju bën të dukeni më të sigurt në vetvete. Përkundrazi, nëse këmbët nuk i mbani drejt, kjo mund të jetë një shenjë nervozizmi, ankthi, shqetësimi, madje edhe nevoja për të nxituar dhe të largoheni.
7.Një buzëqeshje e lehtë
Sipas një studimi të kryer nga neuroshkencëtarët, njerëzit që shfaqin një buzëqeshje të lehtë së bashku me një ngritje të lehtë të vetullave të tyre kur bisedojnë me dikë priren të gjenerojnë simpati dhe besim më të madh te bashkëbiseduesi i tyre.
Në përgjithësi, kur kërkojmë mbështetje ose përpiqemi të vendosim komunikim me të tjerët, ne kërkojmë dikë që duket miqësor dhe i gatshëm të dëgjojë, dhe jo një person që duket i bezdisshëm, i pakëndshëm ose i largët.
8.Shfrytëzoni hapësirën tuaj
Nëse ndiheni të pasigurt për veten ose të shqetësuar dhe nervoz për një situatë specifike, keni tendenca që mos ta vlerësoni veten mjaftueshëm. Duke bërë këtë, ju mund të dukeni më pak frikësues, por edhe më pak i sigurt se sa jeni në të vërtetë.
Nëse doni të jeni imazhi i besimit, duhet të përpiqeni të shfrytëzoni hapësirën që ju nevojitet dhe të ndiheni rehat. Kështu shfaqni siguri, rehati dhe besim./UBTNews