UBT News

Tensionet SHBA–Iran rrisin çmimet e naftës

Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet me “goditje të gjata dhe të dhimbshme” çdo sulmi të ri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke rritur tensionet në rajon dhe duke vështirësuar përpjekjet ndërkombëtare për hapjen e Ngushtica e Hormuzit.

Dy muaj pas nisjes së konfliktit mes Irani dhe forcave të mbështetura nga Izraeli dhe SHBA-ja, kjo rrugë detare kyçe vazhdon të mbetet e bllokuar, duke ndikuar në rreth 20% të furnizimeve globale me naftë dhe gaz. Si pasojë, çmimet e energjisë kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke shtuar frikën për një ngadalësim ekonomik global.

Pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga 8 prilli, situata mbetet e tensionuar. Teherani vazhdon të mbajë të mbyllur ngushticën, si kundërpërgjigje ndaj bllokadës detare amerikane mbi eksportet e tij të naftës.

Sipas raportimeve të Axios, presidenti amerikan Donald Trump pritet të shqyrtojë planet për sulme të reja ushtarake ndaj Iranit, me qëllim rritjen e presionit në negociatat për programin bërthamor.

Këto zhvillime kanë ndikuar menjëherë në tregjet globale, ku çmimi i naftës arriti deri në 126 dollarë për fuçi — niveli më i lartë që nga periudha pas pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 — përpara se të binte në rreth 113 dollarë.

Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare iraniane paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake nga SHBA-ja do të pasohet me sulme të forta ndaj objektivave amerikane në rajon.

“Kemi parë çfarë ndodhi me bazat tuaja në rajon; e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me anijet tuaja luftarake”, citohet të ketë thënë komandanti Majid Mousavi.

Ndërkohë, çmimet e naftës Brent janë rritur ndjeshëm që nga fundi i shkurtit, duke nxitur inflacionin dhe duke e bërë koston e karburanteve një çështje të ndjeshme politike në shumë vende.

Përveç bllokimit të kalimit në Ngushticën e Hormuzit, Irani ka intensifikuar aktivitetet ushtarake, përfshirë përdorimin e dronëve dhe raketave ndaj objektivave të lidhura me SHBA-në dhe Izraelin në rajonin e Gjirit.

Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar edhe për “veprime ushtarake të paprecedenta” nëse vazhdon presioni ndaj eksporteve të tyre të naftës, duke sinjalizuar rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe ndërprerje të furnizimeve globale me energji.

Exit mobile version