UBT News

Tensione, përplasje dhe pezullime: Protesta e studentëve në Tiranë eskalon në dhunë

Protesta e mbrëmshme e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensione të ashpra, përplasje me forcat e rendit dhe incidente të shumta, në kuadër të një demonstratë mbarëkombëtare për kushtet në arsim dhe çështjet sociale. Pjesëmarrësit hodhën tulla, blloqe betoni dhe sende të tjera drejt godinës së ministrisë, si dhe demoluan rrethojat mbrojtëse përreth saj.

Në përgjigje të përshkallëzimit të situatës, policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa gjatë protestës u ndezën edhe zjarre në mes të rrugës. Ndërkohë, nga zhvillimet në terren është raportuar për një polic të lënduar, si dhe për shoqërimin e disa protestuesve nga ana e forcave të rendit.

Organizatorët studentorë deklaruan se protesta u thirr për të kundërshtuar kushtet e vështira në universitete, kostot e larta të arsimit të lartë, mungesën e mbështetjes financiare dhe perspektivën e zbehtë të punësimit pas diplomimit. Shumë prej tyre shprehën zhgënjimin ndaj pabarazisë shoqërore dhe qeverisjes, ndërsa protestuesja Luljeta Kola u shpreh se Shqipëria ka nevojë për një përmbysje të plotë të sistemit për shkak të padrejtësive të thella sociale dhe hendekut të madh mes të pasurve dhe të varfërve.

Kjo valë pakënaqësie vjen në një kohë kur aktivizmi studentor po përhapet edhe në vende të tjera të Evropës, si në Francë ku nxënësit e shkollave të mesme kanë bllokuar mësimin për javë të tëra duke kërkuar kushte më të mira dhe më shumë mësimdhënës.

Lidhur me ngjarjet në Tiranë reagoi edhe Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Koçiu, e cila në një postim në Facebook nërmjetësoi se dhuna, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës publike nuk mund të jenë kurrë zgjidhje apo mënyrë se si rinia duhet të shprehet.

Paralelisht me ngjarjet në rrugë, vëmendje të madhe mori edhe një incident me një 19-vjeçar të dëmtuar, çka nxiti reagimin e menjëhershëm të autoriteteve policore. Pas publikimit të një videoje ku shfaqej i riu L. B. me këmbë të thyer duke u tërhequr nga punonjësit e policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të policisë si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin Nr. 1, nënkomisar F. K.

Policia e Shtetit njoftoi se ka nisur hetimin disiplinor dhe ka ngritur një grup të posaçëm nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale për të verifikuar të gjitha veprimet e zyrtarëve nga fillimi deri në fund të protestës, duke garantuar se çdo punonjës që ka tejkaluar kompetencat apo ka shkelur procedurat standarde do të mbajë përgjegjësi të plotë ligjore. /Reuters/

 

Exit mobile version