Situata para Kryeministrisë në Shqipëri është tensionuar, pasi protestuesit kanë thyer dhe rrëzuar karriget që kryeministri Edi Rama kishte vendosur në mënyrë simbolike si ftesë për dialog.
Në mbështetje të studentëve protestues kanë dalë edhe mësimdhënësit universitarë, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe kanë paralajmëruar bojkotimin e procesit mësimor në universitete.
Ata kanë theksuar se do të mbështesin çdo vendim të studentëve, përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit të dialogut me kryeministrin.
Sipas raportimit të A2 CNN, mësimdhënësit kanë paralajmëruar se do të mblidhen çdo ditë, duke filluar nga ora 10:00, para korpusit universitar, ndërsa mësimi në universitete nuk do të zhvillohet.
Protesta po shoqërohet me kërkesa për përgjegjësi institucionale, ndërsa studentët dhe mësimdhënësit vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
D.L
