UBT News

Tensione në Tiranë: Studentët përplasen me policinë, sulmohet një bankë komerciale dhe dëbohen politikanët

Tensionet në Rrugën e Durrësit pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po vazhdojnë edhe sot, ku protesta e studentëve ka pësuar përshkallëzim të mëtejshëm. Disa nga protestuesit kanë sulmuar një bankë komerciale, duke i goditur e thyer xhamat e jashtëm si dhe duke tentuar t’i shkulin pllakat e godinës.

Në protestë janë grumbulluar studentë nga universitete të ndryshme, përfshirë Universitetin e Mjekësisë, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Politeknikun, Fakultetin e Drejtësisë e të tjerë. Ndaj ndërtesës së ministrisë janë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Shtetit është pozicionuar përballë tyre dhe po vazhdon shpërndarjen e turmës me ujë me presion, si dhe ka arrestuar e shoqëruar disa pjesëmarrës.

Situatë me tensione u shënua edhe te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku një grup protestuesish e theu derën kryesore dhe u fut brenda ambienteve të fakultetit.

Në vendngjarje u parën edhe disa deputetë të Partisë Demokratike (PD), mirëpo prania e tyre u refuzua nga të rinjtë. Figurat politike si Belind Këlliçi dhe Eno Bozdo u dëbuan nga vetë studentët, të cilët iu kërkuan të largohen për të shmangur politizimin e kauzës, përpara se të vazhdonin përplasjen me forcat policore.

Ndërkohë, vala e protestave dhe pakënaqësive po përhapet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Universitetin e Elbasanit dhe atë të Shkodrës ka nisur bojkotimi i procesit mësimor në shenjë solidariteti me studentët në Tiranë. Ndërkaq, në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër situata raportohet të jetë e qetë dhe mësimi po zhvillohet normalisht. /E.A/

Exit mobile version