Novak Gjokoviç nuk u lejua të hynte në Australi dhe autoritetet ia anuluan vizën pasi ai mbërriti në Melburn të mërkurën vonë për të mbrojtur titullin e tij në kampionatin e tenisit “Australian Open”.
Forcat Kufitare Australiane lëshuan një deklaratë herët të enjten, në të cilën thuhet se Gjokoviç nuk arriti të siguronte provat e duhura për të plotësuar kushtet e hyrjes në vend dhe “më vonë atij iu anulua viza”.
Gjokoviç, një nga tenistët më të mirë në botë, udhëtoi në Australi pasi mori një autorizim mjekësor që e përjashtonte atë nga respektimi i rregullave të rrepta të vaksinimit kundër koronavirusit, për të marrë pjesë në kampionatin “Australian Open”, të cilin ai e ka fituar nëntë herë.
Mediat australiane raportuan se ekipi i Gjokoviçit kishte aplikuar për llojin e gabuar të vizës për një person me autorizim mjekësor. Avokatët e Gjokoviçit pritet të apelojnë vendimin, i cili erdhi pasi ai kishte kaluar më shumë se tetë orë në aeroportin e Melburnit, duke pritur për të mësuar nëse do të lejohej të hynte në vend.
Babai i tij, Srdjan Gjokoviç, i tha portalit B92 se djali i tij u mbajt “në një dhomë ku askush nuk lejohet të hyjë”, i ruajtur nga dy policë.
Pjesëmarrja e Gjokoviçit në Australian Open është bërë një temë e debatueshme politike, me shumë australianë të zemëruar që atij iu dha një autorizim mjekësor për të hyrë në vend. Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në një postim në Instagram se kishte komunikuar me Gjokoviçin ndërsa ai po mbahej në aeroport dhe shtoi se autoritetet serbe po marrin masa “në mënyrë që keqtrajtimi i tenistit më të mirë në botë të ndalet brenda një periudhe kohore sa më të shkurtër.”
Spekulimet për probleme të mundshme me vizën u shfaqën ndërsa Gjokoviç ishte në tranzit dhe u përshkallëzuan pas reagimeve të ndryshme të ligjvënëse federalë dhe shtetërorë në Australi.
Njoftimi nga vetë Gjokoviç në mediat sociale se po shkonte në Australi, për të konkurruar për titullin e 21-të të madh rekord, ndezi debate dhe mbulim të gjerë në media, me kritikë që shtrojnë pyetjen se çfarë argumenti mund të kishte për përjashtimin nga rregullat, ndërsa përkrahësit e tij thanë se ai ka të drejtën e privatësisë dhe lirinë e zgjedhjes.
Drejtori i turneut Australian Open, Craig Tiley mbrojti “aplikimin dhe procesin plotësisht legjitim” dhe këmbënguli se nuk kishte trajtim të veçantë për Gjokoviçin.
Sipas rregullave të qeverisë së shtetit Viktoria, vetëm lojtarët, stafi, tifozët dhe zyrtarët plotësisht të vaksinuar mund të hynin në Parkun e Melburnit ku fillon turneu më 17 janar.
Vetëm 26 persona aplikuan për një përjashtim mjekësor dhe, siç tha zoti Tiley, vetëm një numri shumë të vogël iu lejua ky përjashtim.
Zoti Tiley vuri në dukje se Gjokoviç nuk është i detyruar të zbulojë arsyen e tij për të kërkuar një përjashtim.
Por ai shtoi se do të ishte “e dobishme” nëse Gjokoviç ia shpjegonte arsyet publikut të Melburnit që ende po vuan pasojat e bllokimeve dhe kufizimeve të udhëtimit të vendosura në kulmin e pandemisë.
Gjokoviç rezultoi pozitiv për koronavirusin në vitin 2020 pasi luajti në një sërë lojrash që ai organizoi në Serbi dhe Kroaci pa distancim fizik në mes të pandemisë.