Ndonëse tash e dy vjet nuk ka trajner dhe as vend të përhershëm për trajnim, Filip Paviq nga Novobërda, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, është shpallur tenisti më i mirë në Kosovë për vitin 2020, në kategorinë deri në 14 vjeç.
Filipi, 14-vjeçar, ka marrë këtë çmim, por edhe shumë çmime të tjera nga Federata e Tenisit e Kosovës dhe që nga ky vit, ai garon në kategorinë deri në 16 vjeç. Ai tashmë është pozicionuar në vendin e katërt të tenistëve më të mirë të Kosovës në atë kategori.
Gjithashtu, Filip Paviq, aktualisht është serbi i vetëm i cili garon në kuadër të Federatës së Tenisit të Kosovës, në kategorinë prej 12 deri në 18 vjeç. Dëshira e tij është që një ditë të luajë për përfaqësuese, por tash për tash, nuk e ka marrë ftesë as nga Kosova e as nga Serbia.
“Kam nisur që të godas topin në mur dhe i kam kërkuar babait që të më gjejë një trajner”, rrëfen Filipi për Radion Evropa e Lirë. Në vitin 2016, ai është regjistruar në shkollën e tenisit në Graçanicë, një komunë me shumicë serbe në afërsi të Prishtinës.
Që atëherë, ai ka shënuar vetëm suksese dhe deri më tash ka fituar mbi 30 turne.
“Sukseset kanë domethënie të madhe për mua dhe kjo më shtyn që të përgatitem edhe më shumë dhe të bëhem dikush dhe diçka, të bëhem më i miri, për të fituar në Grand Slam”, thotë Filipi, i cili që nga viti 2018 nuk ka trajner, ndërkaq që ushtrimet i praktikon në mënyra të ndryshme.
Shoku i tij, Dasar Ymeri nga Prishtina, e ka terrenin e tij privat, kështu që Filipi, tash e dy vjet shkon te ai tre herë në javë, në mënyrë që ta ruaj kondicionin dhe teknikat e luajtjes së tenisit.
“Kjo na ndihmon të dyve. Unë dhe Filipi jemi të njëjtë dhe kënaqem të luaj me të”, tha Dasari për Radion Evropa e Lirë.
Dasari dhe Filipi janë njohur në një turne, pesë vjet më parë dhe që nga atëherë, falë dashurisë për tenisin, janë në kontakt të vazhdueshëm.
Babai i Filipit, Goran Paviq, thotë që tenisi si sport individual, kërkon shumë sakrifica dhe ka shpenzime financiare që mezi përballohen.
“Pra, që nga shpenzimet e rrugës, hotelit… nuk di çfarë t’ju them. Ne vetë paraqitemi në turne dhe pjesëmarrja është kryesisht në Kosovë, sepse për të shkuar diku tjetër, nevojiten para. Turnetë që mbahen jashtë, zgjasin nga gjashtë deri tetë ditë, prandaj ne heqim dorë nga ato”, tha Paviq.
Ai shtoi se ka kërkuar ndihmë nga të gjithë, duke nisur që nga komuna, përmes institucioneve të Kosovës e deri te Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.
Por, sipas tij, përveç premtimeve të shumta Paviq nuk ka marrë asnjë mbështetje, ndërkaq që babai i tij ka drojën që ai mund të heqë dorë për shkak të kushteve të vështira për trajnim, ose për shkak se “askush nuk e sheh talentin e tij”.
Kryetari i Komunës së Novobërdës është Svetislav Ivanoviq nga radhët e Listës Serbe, nuk ka dashur që t’i përgjigjet pyetjes së Radios Evropa e Lirë, se a ka mundësi komuna që ta ndihmojë tenistin e ri.
Porosia e Federatës së Tenisit e Kosovës
Kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës (FTK), Jeton Hadërgjonaj thotë se i ndidhmojnë të gjithë sportistët, “e sidomos ata më të mirët”. Ai shtoi që për Filip Paviqin, janë gjithmonë dyert e hapura në këtë federatë.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Hadërgjonaj ka sqaruar që FTK-ja nuk e ka ftuar Filip Paviqin që t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës, vetëm për shkak që të mos e vë në pozitë të vështirë. Ai ka përkujtuar “shembullin e keq nga viti 2016, kur një e re serbe, për shkak të presionit politik kishte hequr dorë që të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në tenis”.
“Por, nëse Filip Paviq, në të ardhmen ka guximin dhe vullnetin që të luaj për Federatën e Tenisit të Kosovës, ne këtë do ta pranojmë me të dy duart dhe natyrisht që do ta ndihmojmë”, ka thënë Hadërgjonaj.
Ai ka shtuar se nuk është i informuar për faktin që Filipi nuk ka trajner dhe që shpeshherë nuk ka ku të ushtrojë.
“Në Graçanicë ekzistojnë dy terrene. Unë do ta verifikojë se pse ai nuk mund të luaj atje”, ka thënë kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, i cili ka shtuar se edhe shqiptarët janë duke u përballur me infrastrukturë të keqe të tenisit, për shkak se ky sport, “ka nisur që të zhvillohet relativisht vonë në Kosovë”.
Si sportist i ri i suksesshëm nga Kosova, Filip Paviq, në muajin gusht të vitit të kaluar, është pranuar edhe në takim nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili atëherë ia dhuroi një reket dhe pati thënë “është mrekulli e madhe që dikush nga Novobërda të fitojë gjithkah në tenis”.
Me këtë kishte përfunduar edhe mbështetja për tenistin e ri.
Cilët sportistë serbë i janë nënshtruar presionit?
Për sportistët e rinj nga komuniteti serb në Kosovë, marrja me sport në mënyrë serioze mund të ketë pasoja negative.
Ngjashëm, në fillim të vitit të kaluar, Ilija Iviq nga Graçanica, ishte ballafaquar me presione, vetëm pse kishte pranuar që të luaj për përfaqësuesen e të rinjve të Kosovës U19. Asokohe, nëna e Ilijas ishte larguar nga puna në Qendrën për kulturë dhe arsim në Graçanicë, institucion ky që financohet nga Beogradi zyrtar.
Arsyetimi për largimin e saj ishte se ajo është “tepricë teknologjike”, gjë që ajo nuk e pranoi si arsye të vërtetë.
Gjithashtu, në prag të pjesëmarrjes së Kosovës në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro, më 2016, një çiklisti serb i është ofruar bashkëpunimi, bursa dhe ndihma për pjesëmarrje në gara. Prindërit e tij, pas bisedave “me të birin dhe me disa në Serbi”, ishin përgjigjur negativisht.
Përvoja të ngjashme ka edhe tenistja Marija Gjorgjeviq nga Graçanica, e cila në vitin 2016, kishte refuzuar ftesën që të përfaqësojë Kosovën në Fed Cup. Pas presionit negativ të medieve, ajo gjithashtu hoqi dorë nga ndërtimi i karrierës së saj në ekipin kombëtar të Kosovës./REL