Televizioni i Belgjikës, VRT ndërpreu transmetimin e kompeticionit të këngës, Eurovision, të enjten mbrëma, për të dhënë një mesazh përmes së cilit dënon luftën e Izraelit në Gaza dhe shtypjen e lirisë së shtypit.
“Ne dënojmë shkeljet e të drejtave të njeriut nga shteti izraelit. Përveç kësaj, Izraeli po shkatërron lirinë e shtypit”, thuhet në mesazhin e transmetuar. “Prandaj, ne po bëjmë një pushim të përkohshëm nga transmetimi ynë. Tani, armëpushim”.
Thirrjet ndaj Eurovisionit për t’ia ndaluar pjesëmarrjen Izraelit, i cili tashmë ka rezervuar biletën për finalen e madhe të konkursit, janë rritur në mes të luftës në Gaza.
Eurovision i rezistoi thirrjeve për të larguar Izraelin, por i kërkoi vendit të modifikojë tekstin e këngës së tij origjinale, “October Rain”, e cila dukej se i referohej sulmit të 7 tetorit të Hamasit./UBTNews/