UBT News

Të jesh një nënë e mirë

Shndërrimi në nënë është një moment unik në jetën e çdo gruaje, që nënkupton një ekuilibër delikat midis vëmendjes kushtuar fëmijës dhe nevojës për pavarësi. Të jesh nënë e mirë në këtë fazë nënkupton njohjen e prioriteteve, dhënien e hapësirave të duhura dhe përcaktimin e rregullave që duhen respektuar…

Muajt e parë të jetës janë tejet të rëndësishëm, si për nënën ashtu edhe për fëmijën. Nëna në këtë fazë jeton në simbiozë me fëmijën, të cilit i kushton kujdes dhe dashuri të vazhdueshme. Kontakti është themelor për rritjen, pasi i jep fëmijës siguri. Pa këtë lidhje fillestare, shkëputja e mëpasme nga nëna, kur fëmija shkon në shkollë ose nëna fillon punën, bëhet më e vështirë. Me t’i kaluar nëntë muajt e parë një nënë duhet të fillojë, dalëngadalë, t’i japë kohë edhe vetes dhe duhet ta bëjë pa u ndier në faj, aspak. Nënat shumë të përqendruara te fëmijët, që ua kushtojnë atyre të gjithë ditën, jo gjithnjë përftojnë rezultate optimale.

Shumica e nëna përpiqen që t’i bëjnë fëmijët të kuptojnë se cila është sjellja e duhur. Por pas tekave të panumërta, shpesh janë para dilemës mos duhet të jenë më të rrepta dhe më autoritare. Sipas psikologëve, tekat janë një fazë e rëndësishme e rritjes së fëmijës. Janë momente në të cilat fëmijët replikojnë me prindërit, kërkojnë të bëhen autonomë. Ama, është themelore që në familje të ketë disa rregulla. Ka disa nëna që nuk durojnë t’i lënë fëmijët duke qarë e u dorëzohen tekave. Është normale që një fëmijë të bëjë tentativa për të marrë atë çka do. Por nëna duhet të reagojë pa hezitim, përndryshe e çorienton vetë fëmijën. Edhe nëse një i porsalindur qan sepse do ta marrin në krahë, nuk duhet kënaqur në kërkesën e tij…

NË MOSHËN E SHKOLLËS

Ka marrë një notë të keqe, në shkollë nuk sillet siç duhet. Si duhet ta ndihmoni që të jetë më i përgjegjshëm?

Detyrat e shtëpisë duhet t’i bëjë vetëm. Të kalosh gjithë pasditen duke u marrë me shpjegimin e problemeve të matematikës, nuk është një metodë e mirë për të ndihmuar fëmijën në përmirësimin e rezultateve të tij shkollore. Fëmija duhet t’i drejtohet nënës nëse nuk kupton një ushtrim, por kjo nuk duhet të kthehet në normë. Kështu nëna do të rrezikonte të shndërrohej në një “mësuese të dytë”, duke e modifikuar raportin. Sidomos kur përballemi me botën e shkollës duhet të jemi objektivë. Një nënë e mirë duhet ta mbështesë fëmijën e vet edhe kur kthehet në shtëpi me një notë të keqe, por nuk duhet ta marrë në mbrojte nëse ka bërë një faj.

NË ADOLESHENCË

Fëmijët rriten… në adoleshencë shfaqin për herë të parë prirjen e theksuar për pavarësi, pak më vonë fillojnë të jetojnë vetëm. Një mama e mirë është gjithnjë e pranishme, por nuk i kushtëzon fëmijët në zgjedhjet e tyre. Ndërhyn vetëm kur është e nevojshme, duke pritur që vetë fëmijët t’i kërkojnë ndihmë…

Vjen një kohë ku çdo prind do të përballet me adoleshencën. Papritur fëmija do të dalë, të shkojë në diskotekë, të shëtisë me shokët, por nuk është mjaftueshëm i rritur sa të dalë vetëm.

Përballë çdo refuzimi që merr, fëmija rebelon dhe marrëdhënia me prindërit bëhet gjithnjë e më shumë konfliktuale…

Duke kërkuar që të shkojnë në diskotekë apo me të dalin vetëm, fëmijët duan t’u tregojnë prindërve se janë të rritur. Sigurisht, jo të gjitha kërkesat e tyre duhet të kënaqen. Në këtë fazë delikate të raportit prind-fëmijë, një nënë duhet të vendosë rregulla dhe të presë vendosmërisht që ato të plotësohen. Pa u shkurajuar përballë përpjekjeve që adoleshentët bëjnë për t’ua njohur pavarësinë. Një mama që përmbahet përballë kërkesave të fëmijës do të rrisë një fëmijë të aftë për t’u përballur edhe me sfidat pasardhëse të jetës.

NË RINI

Tashmë ai fëmija i vogël është rritur, ka mbaruar shkollën e lartë, por ende nuk është stabilizuar profesionalisht, pasi ndërron shpesh punë. Një nënë përballë një realiteti të tillë ndihet e shqetësuar, pasi do të donte që aftësitë e fëmijës të vlerësoheshin edhe jashtë familjes.

Zhgënjimet janë pjesë e jetës, shpesh na ndihmojnë të rritemi. Një nënë nuk mund të bëjë shumë për të shmangur vuajtjen e fëmijës në situata të tilla. Por mund t’i japë mjetet për të mësuar dhe për të parë përpara. Për shembull duke i folur për të kaluarën e vet, për portat e mbyllura dhe ato që papritmas mund të hapen. Duke i bërë të ditur se jo gjithnjë arrihet një qëllim me tentativën e parë, por duke mos reshtur së provuari.

Kur një fëmijë shkon të jetojë vetëm, raporti me nënën në përgjithësi përmirësohet. Minimizohen vogëlimat që i shkakton jeta e përditshme: që nga mungesa e rregullit në dhomë, orari i kthimit në shtëpi në mbrëmje… Njëkohësisht një fëmijë që shkon të jetojë vetëm, merr përgjegjësi, bëhet më i vetëdijshëm për atë që prindërit bëjnë për të dhe fillon t’i vlerësojë më shumë.

Marre nga Panorama.al Burimi: PsychoWorld

Exit mobile version