UBT News

Talentet e Evropës në shenjestrën e Kosovës: Foda dhe Shala konfirmojnë kontaktet me tre yjet e rinj

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, së bashku me menaxherin e përfaqësueses, Bajram Shala, kanë konfirmuar se janë në monitorim dhe bisedime me tre talente që po shkëlqejnë në ligat evropiane: Erblin Osmanin, Brajan Grudën dhe Lorent Tolajn.

Edhe pse “Dardanët” janë vetëm pak ditë larg përballjes vendimtare ndaj Sllovakisë në kuadër të play-off-it për Kupën e Botës, vëmendja e opinionit është kthyer edhe nga afrimet e mundshme. Një prej emrave më të diskutuar është ai i 16-vjeçarit Erblin Osmani, i cili bëri bujë me debutimin e tij te Bayern Munich në Bundesliga.

Menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, konfirmoi se Federata tashmë ka hedhur hapat e parë drejt talentit të ri. “Drejtori Muharrem Sahiti ka pasur kontakte direkte me familjarët e Erblin Osmanit”, deklaroi Shala, duke lënë të kuptohet se bisedimet janë në proces.

Në anën tjetër, trajneri Franco Foda u tregua më i matur sa i përket dyshes Brajan Gruda dhe Lorent Tolaj. Ndonëse pranoi se i njeh mirë cilësitë e tyre, ai theksoi se prioriteti i tij mbetet skuadra aktuale para sfidës jetike.

“Janë emra shumë interesantë dhe cilësorë të cilët i njoh. Megjithatë, fokusi im total është te lojtarët që kam aktualisht në grumbullim. Për emra të tjerë mund të përgjigjem vetëm pas ndeshjes”, u shpreh Foda.

Kosova do të kërkojë biletën për finalen e play-off-it këtë të enjte, në duelin që nis nga ora 21:00 kundër Sllovakisë, ndeshje kjo që konsiderohet si një nga më të rëndësishmet e viteve të fundit. /Telegrafi/

Exit mobile version